Samiti i mbajtur në Paris, u cilësua si “konstruktiv dhe konkret”, duke shënuar një nivel të lartë bashkërendimi mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara, vendeve evropiane dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Sipas një deklarate zyrtare, takimi u përqendrua në forcimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, të frymëzuara nga Neni 5 i NATO-s, një qasje e propozuar prej kohësh nga Italia.
Këto garanci pritet të jenë pjesë e një pakete më të gjerë marrëveshjesh, që do të miratohen në koordinim të ngushtë me Uashingtonin, me synimin për të garantuar sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Paketa përfshin edhe krijimin e një mekanizmi gjithëpërfshirës për monitorimin e armëpushimit të mundshëm, si dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake ukrainase.
Gjatë samitit u riafirmua gjithashtu nevoja për të mbajtur nёn presion të vazhdueshëm Rusinë. Në Deklaratën e Parisit theksohet se, në rast të një agresioni të ri nga Moska, vendet e koalicionit janë të gatshme të ndërmarrin angazhime të detyrueshme për mbështetjen e Ukrainës, përfshirë përdorimin e kapaciteteve ushtarake, mbështetjen e inteligjencës dhe logjistikës, veprime diplomatike dhe vendosjen e sanksioneve shtesë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshkroi samitin si një “demonstrim të fortë uniteti”, duke theksuar se deklarata e përbashkët e udhëheqësve dërgon një mesazh të qartë për mbështetjen e pandërprerë ndaj Ukrainës dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të qëndrueshme për vendin.
Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se për herë të parë është arritur një konvergjencë e plotë operacionale mes 35 vendeve anëtare të koalicionit, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai njoftoi krijimin e një qelize koordinimi që do të mundësojë integrimin e ushtrive përkatëse në nivel operacional, si dhe vendosjen e mekanizmave të monitorimit të armëpushimit nën udhëheqjen amerikane, me kontribute nga disa shtete pjesëmarrëse.
Koalicioni parashikon gjithashtu krijimin e një komisioni të posaçëm për menaxhimin e shkeljeve të mundshme të armëpushimit, përcaktimin e përgjegjësive dhe marrjen e masave përkatëse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi se samiti shënoi “hapa konkretë përpara” dhe shprehu gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshje sigurie me Shtetet e Bashkuara. Ai, së bashku me Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, nënshkroi një deklaratë qё shpaloste qёllimin për krijimin e një force shumëkombëshe pas arritjes së një armëpushimi.
Takimi në Paris u cilësua nga Zelensky si samiti më përfaqësues deri më tani, me pjesëmarrjen e 27 udhëheqësve nga Bashkimi Evropian, NATO, si dhe vende si Australia, Zelanda e Re dhe Turqia. Sipas tij, dokumentet e nënshkruara tregojnë gatishmërinë reale të vendeve evropiane dhe aleatëve për të punuar në mënyrë të bashkërenduar për paqen.
Edhe kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se paqja është më afër se kurrë, por paralajmëroi se faza më e vështirë e procesit ende mbetet përpara. Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes ushtarake të Spanjës në një mision paqeruajtës në Ukrainë, ndërsa i dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, konfirmoi se është bërë përparim i rëndësishëm edhe në kuadrin e garancive dypalëshe të sigurisë dhe planeve për rimëkëmbje ekonomike.
(Burimi: TGCOM)






