Në shfaqjen teatrale “24 orë nga jeta e një votuesi”, Driada Dervishi shfaqet jo vetëm si regjisore, por si autore e mirëfilltë, duke mbajtur njëkohësisht përgjegjësinë dramaturgjike dhe vizionin skenik. Në qendër të veprës janë katër aktorë, secili kolonë mbështetëse e kësaj komedie-satirë: Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Hoxhaj. Në skenë bashkohen gjithashtu tre muzikantë rruge: Gent Rushi, Ermal Rodi dhe Emiljan Dhimo. Shfaqja vjen si një komedi-satirë kabare, që ndërthur humorin, ironinë dhe muzikën me kritikën e drejtpërdrejtë shoqërore e politike. Satira është boshti i veprës: përmes jetës së një votuesi dhe argëtimit që i ofron publikut – i cili shpesh reagon me duartrokitje edhe pa pritur fundin e skenave – shfaqja fshikullon hipokrizinë sociale, moralin e rremë, politikën dhe banalitetin e përditshëm. Ngjarja zhvillohet në një hapësirë skenike ku publiku nuk mbetet vëzhgues pasiv. Aktorët i drejtohen drejtpërdrejt sallës, duke e përfshirë emocionalisht përmes pyetjeve provokuese si: “A ju kujtohet?”. Kjo ndërthurje mes skenës dhe sallës e kthen teatrin në një hapësirë reflektimi kolektiv. Në planin dramaturgjik, shfaqja përshkon 35 vite zgjedhjesh, gjatë të cilave votuesi fatkeq nuk arrin kurrë të votojë. Periudhat zgjedhore ndahen përmes këngëve-refren, të marra nga poema satirike e Teodor Kekos “E të tjera, e të tjera”, që rikthehen si kujtesë ciklike e një absurdi që përsëritet vazhdimisht.
Personazhet janë arketipa të tipologjive sociale, por jo sipërfaqësorë.
Votuesi, i interpretuar me natyrshmëri nga Arben Derhemi, nuk fshihet pas personazhit, por shpesh e komenton atë, duke sjellë një ritëm dhe energji tjetër në skenë. Revolucionarja (mamaja), e realizuar mjeshtërisht nga Zamira Kita, është një krijim i plotë i regjisores, i “qepur” enkas për aktoren dhe që i jep asaj mundësinë të shpalosë fuqinë dhe elasticitetin e saj skenik. “E majta” dhe “E djathta”, të interpretuara nga Xhuliano Brisku dhe Ermir Hoxhaj, nuk paraqiten si ideologji, por si karaktere dhe temperamente, produkt i një procesi krijues gati laboratorik, herë arlekinë, herë kameleonë, e herë klounë. Muzika dhe kënga luajnë një rol të rëndësishëm si komente kritike dhe udhërrëfyese historike, ndërsa trioja e muzikantëve nuk mbetet thjesht ilustrim, por bëhet pjesë e tranzicionit të pambarimtë ku gjendet sot artisti. Referencat ndaj Naun Shundit dhe Teodor Kekos i japin shfaqjes peshë dhe e vendosin atë në një dialog me traditën e satirës shqiptare. Përmes absurditetit të përsëritur, shfaqja shtron pyetjen thelbësore dhe provokuese:
Çfarë është më keq: të mos votosh, apo të mos kesh për kë të votosh?
Me “24 orë nga jeta e një votuesi”, Driada Dervishi demonstron guxim artistik dhe nis lëvrimin e teatrit politik përmes satirës kabare. Kjo është një shfaqje që shqetëson; që nuk të lejon të qeshësh për të harruar, por për të mos heshtur dhe pikërisht aty, mes të qeshurës dhe shijes së hidhur që mbetet në fund, satira e saj e përmbush misionin.
Premiera e komedisë është shfaqur në teatrin Kombëtar në 13 janar, ndërsa premiera për publikun e Korçës do të shfaqet në mbrëmjet e datave 26, 27 dhe 28 janar.







