Adem Jashari i tejkalon përmasat e heroit kombëtar të shqiptarëve. Akti vetëflijues me tërë familjen, është një ngjarje unikale po të hulumtosh edhe në tërë historinë e qytetërimit.
Adem Jashari lindi në Prekaz, më 28 nëntor të vitit 1955, ditën më të shënuar të historisë sonë kombëtare, në datën e kthimit të Gjergj Kastriotit në Krujë, e njëjta edhe kur Ismail Qemali shpalosi në Vlorë flamurin e pavarësisë së Shqipërisë.
Prej 30 dhjetorit të vitit 1991 deri më 7 mars 1998, Adem Jashari nuk e ndërpreu asnjë ditë luftën e armatosur kundër pushtuesit serb, për çlirimin e Kosovës.Forcat policore dhe ushtarake ish-jugosllave dhe më pas serbe, e rrethuan tre herë shtëpinë e Jasharëve në Prekaz prej vitit 1991.
Nëse dy herët e para rrethimi u ça dhe Adem Jashari arriti të shpëtojë falë edhe ndihmës së ardhur nga luftëtarët e tjerë të zonës së Drenicës, në rrethimin e tretë më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, ai ra dëshmor bashkë me gjithë familjen e tij të madhe.
Më 3 dhe 4 mars 1998, forca të shumta të artilerisë së rëndë serbe rrethuan shtëpinë e tij në Prekaz dhe filluan të qëllojnë nga të gjitha anët. Qindra policë, ushtarë serbë, qëlluan me armatim të rëndë, mitralozë, mortaja, tank nga të gjitha anët shtëpinë e Jasharëve.
Adem Jashari nuk u dorëzua, por mori vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që mund të marrë ndonjëherë njeriu, të flijohet me gjithë familjen:
“Nuk do të dorëzohemi për së gjalli! – Vrasësit nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!“
Lufta me forcat e shumta serbe që kishin rrethuar gjithë zonën rreth shtëpisë së Adem Jasharit zgjati 3 ditë dhe 2 netë.
Adem Jashari së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij u vranë të gjithë. Gjithsej 58 persona, 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16-vjeçare. Sulmit i mbijetoi vetëm vajza e vogël e familjes, Besarta Jashari, të cilën serbët e menduan të vdekur nën një kufomë të familjarëve të saj, pasi mësyen në shtëpinë e Jasharëve për të zhdukur çdo fije dëshmie të masakrës së 7 Marsit 1998. Besarta Jashari ishte asokohe vetëm 11 vjeçe.
Për Adem Jasharin dhe heroizmin e tij të pashoq janë shkruar dhjetëra libra, drama, broshura dhe jetëshkrime, nga shumë intelektualë shqiptarë dhe të huaj. Janë shkruar dhjetëra e qindra shkrime të autorëve të ndryshëm.
Me rastin e një vizite në Prekaz, kryeadministratori i parë i Kosovës Bernard Kushner tha: “Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes Jasharaj të Prekazit.“






