28 Nëntori mbetet një prej gurëve më të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, dita kur Shqipëria u ngrit në këmbë për të shpallur pavarësinë dhe për të hyrë në hartën e shteteve të lira të Evropës. Pas shekujsh pushtimi dhe dekadash përpjekjesh politike, ky moment historik u mbyll me aktin solemn të firmosur në Vlorë më 1912.
Në fillim të shekullit XX, Perandoria Osmane ishte drejt shpërbërjes, ndërsa lëvizjet kombëtare në Ballkan po fitonin. Mes trazirave të luftërave ballkanike dhe rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje, elita intelektuale dhe patriotët shqiptarë kuptuan se çasti i vendimit kishte ardhur.
Më 26 nëntor 1912, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare mbërritën në Vlorë. Shtëpia e familjes Vlora u kthye në qendër historike të vendimeve që do të përcaktonin fatin e kombit. Dy ditë më vonë, më 28 nëntor, nën drejtimin e të madhit, Ismail Qemali, kuvendi i mbledhur aty, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti flamurin e Skënderbeut mbi qytet.
Ceremonia ishte e thjeshtë, por historike. Flamuri i kuq me shqipen e zezë u ngrit mes duartrokitjeve dhe thirrjeve të delegatëve, duke simbolizuar fundin e sundimit pesëshekullor osman dhe fillimin e epokës së re shtetformuese. Firmëtarët e aktit të Pavarësisë u angazhuan për krijimin e institucioneve të para, organizimin e qeverisë së përkohshme dhe mbrojtjen e territorit shqiptar në një periudhë tejet të trazuar.
Ky akt u pasua nga përpjekje diplomatike intensive në arenën ndërkombëtare, të cilat çuan në njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913). Edhe pse kufijtë e përcaktuar nuk pasqyruan tërësinë e trojeve shqiptare, pavarësia mbeti themeli i shtetit modern shqiptar.
Sot, 28 Nëntori kujtohet si dita e bashkimit, e sakrificës dhe e besimit të një kombi që luftoi për të drejtën e vet mbi lirinë dhe identitetin. Çdo vit, flamuri kuq e zi valëvitet si kujtesë e vendimit të guximshëm të atyre burrave që vendosën fatin e Shqipërisë.
Por 28 Nëntori është Dita që bashkon edhe epokat, ngjarjet dhe simbolikat e gjithë kombit shqiptar.
Shqipëria dhe mbarë trojet shqiptare festojnë sot një nga datat më të rëndësishme të historisë së tyre: 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë. Por kjo datë, përtej shpalljes së shtetit të pavarur më 1912, mbart një trashëgimi të pasur historike që shtrihet në disa shekuj dhe lidhet me momente themelore të formimit të identitetit shqiptar.
Në kujtesën kombëtare, 28 Nëntori lidhet së pari me vitin 1443, kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin e kuq me shqiponjën e zezë në Krujë, duke shënuar fillimin e rezistencës shqiptare ndaj Perandorisë Osmane.
Pesë shekuj më vonë, në të njëjtën datë viti 1912, në Vlorë, u shpall Pavarësia.
Data 28 nëntor mban peshë të veçantë edhe për shqiptarët e Kosovës. Më 1955, po më 28 nëntor, lindi Adem Jashari, figura që u bë simbol i rezistencës për lirinë e Kosovës dhe i sakrificës së familjes Jashari. Ndërsa më 1997, për herë të parë publikisht, në këtë ditë u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në luftën për çlirim.
28 Nëntori nuk konsiderohet vetëm si një festë, por si një datë e cila përmbledh në vete qëndresën, betejat dhe triumfet e kombit shqiptar ndër shekuj. Sot, flamuri kuqezi valëvitet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në diasporën e gjerë.







