Afati për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale për vitin 2025 përfundon më 31 mars 2026. Deklarimi bëhet për periudhën janar–dhjetor 2025 dhe përfshin të gjitha të ardhurat e realizuara gjatë këtij viti.
Detyrimin për të deklaruar e kanë individët që kanë siguruar mbi 1.2 milion lekë bruto në vit nga të gjitha burimet, ata që për të paktën një muaj gjatë vitit kanë qenë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, si edhe personat që kanë përfituar mbi 50 mijë lekë të ardhura për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, si për shembull nga qiradhënia apo platformat online si Booking, Airbnb apo Youtube.
Deklarata dorëzohet në mënyrë elektronike përmes llogarisë personale në sistemin e-Filing, i aksesueshёm nga faqja zyrtare e tatimeve. Përveç përmbushjes së detyrimit ligjor, deklarimi mund të sjellë edhe përfitime financiare për disa kategori. Individët që kanë të ardhura të tatueshme vjetore deri në 1.2 milion lekë mund të përfitojnë rimbursim nëse kanë fëmijë në ngarkim apo kanë kryer shpenzime arsimore për ta, me kusht që deklarata të rezultojë me tepricë kreditore.
Zbritja nga baza tatimore përfshin një shumë prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë nën 18 vjeç në ngarkim, si dhe shpenzime arsimore deri në 100 mijë lekë në vit. Për të përfituar rimbursimin, pas dorëzimit të deklaratës duhet të paraqitet kërkesë përmes modulit “Çështjet e mia” në e-Filing, duke bashkëlidhur të dhënat e llogarisë bankare, certifikatën familjare dhe dokumentacionin që vërteton pagesat e kryera për arsimim.
Në mungesë të faturave apo kontratave përkatëse, shpenzimet arsimore nuk njihen për rimbursim. Po ashtu, kërkesa mund të refuzohet nëse deklarata nuk rezulton me mbipagesë ose nëse dokumentacioni është i paplotë apo i pasaktë.
Administrata Tatimore thekson se deklarata mund të korrigjohet brenda afateve ligjore nëse pas dorëzimit konstatohet ndonjë pasaktësi. Me afrimin e 31 marsit, qytetarët këshillohen të verifikojnë në kohë detyrimin e tyre për deklarim dhe dokumentacionin e nevojshëm, për të shmangur penalitete dhe për të përfituar çdo të drejtë që u takon.






