Një komedian rus është dënuar me gati gjashtë vite burg pasi bëri një shaka në skenë për një veteran lufte pa këmbë, në atë që shihet si rasti më i fundit i goditjes ndaj zërave kritikë për luftën në Ukrainë.
Artemy Ostanin, 29 vjeç, u dërgua në një institucion penal me regjim të përgjithshëm për pesë vite e nëntë muaj, pasi një gjykatë në Moskë e shpalli fajtor për nxitje urrejtjeje dhe fyerje të ndjenjave fetare, edhe për shkak të një batute tjetër me temë fetare.
Gjatë një performance vitin e kaluar, Ostanin tregoi se ishte përplasur në metro me një ish-ushtar me aftësi të kufizuara, të cilin e quajti “patinator pa këmbë”. Videoja e shakasë u shpërnda nga figura dhe media pro-Kremlinit, që kërkuan ndëshkimin e tij duke e akuzuar për fyerje të ushtarëve të plagosur në luftë.
Komediani mohoi që batuta të kishte lidhje me veteranët e asaj që Moska e quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë. Në deklaratën e fundit para gjykatës, ai tha: “Shpresoj që askush të mos gjendet kurrë në të njëjtën situatë abuzimi brutal ligjor që përjetova unë.”
Gjyqtarja që dha vendimin, Olesya Mendeleyeva, ishte sanksionuar më parë nga Departamenti Amerikan i Thesarit për rolin e saj në atë që u cilësua si ndalim arbitrar i një këshilltari bashkiak të Moskës që kishte kundërshtuar luftën.
Pas arrestimit, Ostanin u shtua në listën ruse të “terroristëve dhe ekstremistëve”, një etiketim që përdoret shpesh ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve të autoriteteve.
Që nga nisja e ofensivës në Ukrainë në vitin 2022, Rusia ka intensifikuar ndjekjen penale ndaj artistëve, gazetarëve dhe qytetarëve që shprehin qëndrime kundër luftës. Vetëm në vitet e fundit janë dënuar një muzikante 18-vjeçare për këngë kundër luftës, një mjek për “informacion të rremë” dhe figura të tjera publike, përfshirë gazetarin e opozitës Vladimir Kara-Murza, i cili u dënua me 25 vite burg.
Rasti i Ostaninit shihet nga vëzhguesit si një tjetër sinjal i kufizimit të lirisë së shprehjes në vend.
(Burimi: CBS/AFP)






