Çdo vit më 8 Mars, në shumë vende të botës organizohen protesta, aktivitete ndërgjegjësuese dhe ngjarje festive për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave. Kjo datë nuk është thjesht një festë simbolike, por një kujtesë e historisë së gjatë të përpjekjeve për barazi, të drejta dhe dinjitet për gratë.
Në vende të ndryshme, 8 Marsi shënohet në mënyra të ndryshme: në disa shtete është një ditë proteste dhe mobilizimi për të drejtat e grave, ndërsa në të tjera, si në Shqipëri, ka marrë karakter më festiv. Megjithatë, në thelb mbetet një ditë reflektimi për çështje si barazia gjinore, dhuna ndaj grave, femicidi, diskriminimi ekonomik dhe të drejtat riprodhuese.
Historia e kësaj dite nis në fillim të shekullit XX, në një periudhë kur lëvizjet e grave po fitonin gjithnjë e më shumë mbështetje në shumë vende të botës.
Në vitin 1908, mijëra gra marshuan në qytetin e Nju Jorkut duke kërkuar kushte më të mira pune, paga më të drejta, orare më të shkurtuara dhe të drejtën e votës. Protestat u frymëzuan nga pakënaqësia e punëtoreve të industrisë së tekstilit, të cilat përballeshin me kushte të rënda pune dhe shfrytëzim.
Një vit më pas, më 28 shkurt 1909, Partia Socialiste e Amerikës organizoi Ditën e Parë Kombëtare të Grave në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Aktivistja Theresa Malkiel ishte një nga figurat kryesore të kësaj nisme, që synonte të nxirrte në pah problemet me të cilat përballeshin gratë në punë dhe në shoqëri.
Në vitin 1910, në Konferencën Ndërkombëtare Socialiste të Grave në Kopenhagë, aktivistja gjermane Clara Zetkin propozoi që të krijohej një ditë ndërkombëtare kushtuar grave punëtore. Ideja ishte që çdo vit të organizoheshin aktivitete dhe protesta për të kërkuar barazi dhe të drejta politike për gratë.
Me kalimin e viteve, kjo nismë u përhap në shumë vende dhe u shndërrua gradualisht në një simbol global të lëvizjes për të drejtat e grave.
Një moment i rëndësishëm erdhi në vitin 1975, kur Organizata e Kombeve të Bashkuara shpalli atë vit – Viti Ndërkombëtar i Grave dhe filloi ta njohë zyrtarisht 8 Marsin si një ditë ndërkombëtare kushtuar grave.
Dy vite më vonë, në 1977, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që u bënte thirrje shteteve anëtare të shpallnin një ditë në vit për të drejtat e grave dhe paqen ndërkombëtare, dhe shumë vende zgjodhën pikërisht datën 8 mars.
Kjo njohje ndërkombëtare e shndërroi 8 Marsin nga një ditë e festuar kryesisht në vendet socialiste në një datë globale, e cila sot shënohet në pothuajse çdo vend të botës.
Sot, më shumë se një shekull pas protestave të para të grave punëtore, 8 Marsi vazhdon të përdoret si një platformë për të diskutuar sfidat që gratë përballen në shoqëri: nga barazia në punë dhe në politikë, te lufta kundër dhunës dhe diskriminimit.
Në këtë kuptim, 8 Marsi nuk është vetëm një datë në kalendar, por një kujtesë se historia e të drejtave të grave është ndërtuar përmes protestave, solidaritetit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për ndryshim.






