Email-e të brendshme të Departamentit amerikan të Drejtësisë tregojnë se vala e faljeve dhe uljeve të dënimeve në ditët e fundit të presidencës së Joe Biden la zyrtarët përgjegjës me paqartësi mbi atë se kush ishte falur dhe çfarë dënimesh përfshiheshin. Zyra e Faljeve nuk ishte konsultuar për shumë prej rasteve, ndërsa edhe falja e Hunter Biden i kapi të gjithё në befasi.
Një seri dokumentesh të brendshme po hedh dritë mbi mënyrën se si u administrua vala e faljeve dhe uljeve të dënimeve të dhëna nga ish-presidenti amerikan Joe Biden në fund të mandatit të tij.
Email-et e Departamentit të Drejtësisë, të siguruara përmes ligjit amerikan për lirinë e informacionit, tregojnë se pas shpalljes së disa prej vendimeve, zyrtarët u detyruan të përcaktonin se çfarë përfshinin konkretisht ato dhe, në raste të tjera, të korrigjonin gabime në dokumentacion.
Dokumentet janë publikuar në një kohë kur mënyra se si Biden përdori kompetencën presidenciale të faljes gjatë javëve të fundit në Shtëpinë e Bardhë vazhdon të jetë objekt debati në SHBA.
“Shumë prej rasteve nuk u verifikuan nga zyra jonë”
Një nga episodet më domethënëse lidhet me vendimet e 17 janarit.
Më 28 janar, prokurorët në Virxhinia kërkuan sqarime për rastin e Christopher Damon Spencer. Në listën e personave që përfitonin nga ulja e dënimit ishte përmendur një çështje e vitit 2003, por Spencer kishte edhe një çështje tjetër të vitit 2011, për të cilën ishte dënuar me 235 muaj burg.
Pyetja ishte elementare, por me pasoja të drejtpërdrejta: a ishte ulur edhe ky dënim apo jo?
Zëvendësdrejtoresha e Zyrës së Faljeve, Kira Gillespie, u përgjigj se interpretimi “më i arsyeshëm” ishte që vendimi të zbatohej për të dyja çështjet. Por në të njëjtin email ajo dha edhe shpjegimin për konfuzionin: shumë prej rasteve të përfshira në vendimet e 17 janarit nuk ishin verifikuar nga zyra e saj dhe të dhënat nuk ishin kontrolluar me kujdesin që do të zbatohej normalisht.
Kjo është një nga dëshmitë më të drejtpërdrejta nga brenda administratës se procesi tradicional i shqyrtimit ishte anashkaluar për një pjesë të vendimeve.
Edhe falja e Hunter Biden e kapi zyrën në befasi
Konfuzioni nuk kufizohej vetëm te faljet masive.
Dokumentet tregojnë se Office of the Pardon Attorney, zyra e Departamentit të Drejtësisë që tradicionalisht shqyrton kërkesat për falje presidenciale, nuk kishte përpunuar faljen e Hunter Biden dhe ishte kapur në befasi nga vendimi i presidentit për të falur djalin e tij.
Konfirmimi vjen nga vetë drejtuesja e atëhershme e zyrës, Liz Oyer.
Kur një zyrtar i marrëdhënieve me publikun nё Departamentin e Drejtёsisё e pyeti nëse ishte e pasaktë që media ta përshkruante zyrën si të kapur “në befasi”, Oyer u përgjigj:
“Është e saktë.”
Problemet vazhduan edhe pas shpalljes së faljes.
Më 2 dhjetor, zyra u detyrua të korrigjonte një njoftim të mëparshëm, në të cilin Hunter Biden ishte përshkruar gabimisht sikur kishte marrë falje “pas përfundimit të dënimit”. Në fakt, ai ende nuk ishte dënuar dhe falja e dhënë nga babai i tij ishte e plotë dhe e pakushtëzuar.
Më pas lindi një tjetër problem: gjykata federale që trajtonte çështjen e Hunter Biden në Kaliforni kërkoi autentikimin zyrtar të dokumentit të faljes. Zyrtarët e Departamentit tё Drejtёsisё u angazhuan për disa ditë për të komunikuar me gjykatën dhe për të siguruar verifikimin e nevojshëm.
Rreth 1,500 ulje dënimesh pa shqyrtim individual nga zyra e faljeve
Dokumentet ngrenë pikëpyetje edhe për një tjetër vendim masiv të Biden.
Më 12 dhjetor, presidenti uli dënimet për rreth 1,500 persona që kishin kaluar në arrest shtëpie gjatë pandemisë së COVID-19, sipas dispozitave të CARES Act.
Departamenti i Drejtësisë tha se zyrtarët përgjegjës për faljet nuk kryen një shqyrtim individual të secilit prej këtyre personave. Përfituesit ishin identifikuar nga Byroja e Burgjeve dhe Departamenti i Drejtёsisё si persona që po vuanin dënimet në arrest shtëpie. Ata ishin vlerësuar më parë nga autoritetet penitenciare për këtë transferim, por shumica e dosjeve nuk iu nënshtruan një shqyrtimi të ri individual nga zyrtarët e faljeve përpara vendimit presidencial.
Paqartësitë brenda Departamentit të Drejtësisë u shfaqën edhe pas vendimeve të 17 janarit.
Sipas një email-i të brendshëm të cituar në dokumente, Liz Oyer u kishte thënë prokurorëve federalë se vendimi presidencial nuk ishte marrë në konsultim me zyrёn e saj dhe se kishte pasur shumë pak koordinim me Departamentin e Drejtësisë.
Vetëm 258 nga rreth 2,490 ishin rekomanduar nga Departamenti i Drejtёsisё
Shifrat e bëjnë edhe më të dukshme përmasën e shkëputjes nga procedura tradicionale.
Nga rreth 2,490 persona që përfituan nga vendimet e 17 janarit, vetëm 258 ishin rekomanduar nga Departamenti i Drejtësisë.
Madje, Shtëpia e Bardhë përfshiu në listë disa persona që Departamenti i Drejtësisë i kishte refuzuar, ndërsa qindra të tjerë që kishte rekomanduar nuk u përfshinë.
Megjithatë, dokumentet e publikuara nuk tregojnë të gjithë procesin që u zhvillua jashtë zyrёs pёrgjegjёse pёr faljet. Për rrjedhojë, prej tyre nuk mund të përcaktohet se kush i përzgjodhi individualisht të gjithë përfituesit, çfarë dokumentacioni u shqyrtua për secilin apo si u bënë ndryshimet përfundimtare në lista.
Gjykatësi: Askush nuk na pyeti, as viktimat
Shqetësime pati edhe nga gjyqtarët që kishin dhënë disa prej dënimeve të reduktuara.
Gjykatësi federal Daniel Hovland kërkoi shpjegime pasi shqyrtoi më shumë se një duzinë rastesh në North Dakota. Ai tha se as gjyqtarët që kishin dhënë dënimet, as prokurorët dhe as viktimat nuk ishin konsultuar përpara vendimeve.
Në dy prej rasteve që ai veçoi, personat e dënuar kishin mashtruar më shumë se 60 fermerë dhe biznese bujqësore për 11.4 milionë dollarë dhe një bankë për 28.5 milionë dollarë.
Sipas tij, askush me njohuri të drejtpërdrejta për këto çështje nuk ishte kontaktuar paraprakisht, “as edhe me një telefonatë”.
Presidenti kishte të drejtë ta anashkalonte Departamentin e Drejtёsisё
Megjithatë, ekziston një dallim i rëndësishëm mes kritikave ndaj mënyrës së zhvillimit të procesit dhe ligjshmërisë së vetë faljeve.
Departamenti i Drejtësisë ka theksuar se presidentët amerikanë, si demokratë ashtu edhe republikanë, kanë përdorur kompetencën kushtetuese të faljes pa u konsultuar me Departamentin e Drejtёsisё. Rregullat nuk e detyrojnë presidentin të ndjekë procedurën tradicionale.
Pra, dokumentet e reja nuk provojnë se Biden nuk kishte kompetencën për të marrë këto vendime. Ato zbulojnë diçka tjetër: shkallën në të cilën një pjesë e valës së fundit të faljeve u zhvillua jashtë mekanizmit tradicional të verifikimit të Departamentit të Drejtësisë dhe konfuzionin që kjo krijoi më pas brenda vetë institucionit që duhej t’i zbatonte vendimet.
Burimi: Fox News





