FIFA ka ndëshkuar Federatën Spanjolle të Futbollit pas thirrjeve diskriminuese kundër myslimanëve gjatë ndeshjes miqësore mes Spanjës dhe Egjiptit. Në takimin e ardhshëm miqësor që Spanja do të zhvillojë në shtëpi, të paktën 15% e vendeve në stadium duhet të mbeten bosh. Vendimi shoqërohet edhe me një gjobë prej 20 mijë dollarësh.
Sipas vendimit të organit më të lartë të futbollit botëror, kufizimi do të zbatohet kryesisht në tribunat pas portave, ndërsa Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) është gjobitur me 20 mijë dollarë.
FIFA ka parashikuar edhe mundësinë që, me miratimin e saj paraprak, vendet e prekura nga masa disiplinore t’u vihen në dispozicion grupeve të komunitetit, familjeve, studentëve apo organizatave që luftojnë diskriminimin.
Çdo propozim i tillë duhet të përfshijë masa të dukshme kundër diskriminimit dhe t’i paraqitet FIFA-s të paktën 15 ditë përpara zhvillimit të ndeshjes.
Vendimi lidhet me ndeshjen miqësore mes Spanjës dhe Egjiptit, të zhvilluar më 31 mars në stadiumin RCDE të Barcelonës, e cila përfundoi në barazim pa gola.
Gjatë pjesës së parë dhe pak pas fillimit të pjesës së dytë, një grup tifozësh spanjollë lëshuan thirrje diskriminuese kundër myslimanëve.
Në ekranin e stadiumit u shfaq një paralajmërim kundër diskriminimit, ndërsa përmes sistemit të zërit tifozëve iu kërkua të ndalonin thirrjet.
Paralajmërimi u përsërit në fillim të pjesës së dytë, por u prit me fishkëllima nga disa sektorë të stadiumit.
Pas ngjarjes, FIFA hapi procedim disiplinor për sjellje që e cilësoi islamofobe dhe ksenofobe.
Federata Spanjolle argumentoi se thirrjet nuk përbënin diskriminim, pasi fjala “mysliman” nuk është në vetvete fyese.
Por Komiteti Disiplinor i FIFA-s e hodhi poshtë këtë argument, duke theksuar se edhe fjalët që nuk janë fyese kur përdoren veçmas mund të marrin karakter diskriminues nëse përdoren për të përqeshur ose poshtëruar një identitet fetar.
Sipas komitetit, Federata Spanjolle nuk mund të pretendonte bindshëm, nga njëra anë, se thirrjet ishin krejtësisht të padëmshme dhe, nga ana tjetër, se ato kishin justifikuar aktivizimin e masave kundër diskriminimit gjatë ndeshjes.
Megjithatë, FIFA mori parasysh faktin se zyrtarët spanjollë kishin zbatuar masa parandaluese, kishin bashkëpunuar me autoritetet e ndeshjes, e kishin dënuar publikisht incidentin dhe kishin ndërmarrë hapa për identifikimin e personave përgjegjës.
Pas takimit, Federata Spanjolle i dënoi thirrjet diskriminuese.Trajneri i kombëtares spanjolle, Luis de la Fuente, e cilësoi incidentin “të patolerueshëm”, duke deklaruar se individë të dhunshëm po e përdornin futbollin si platformë për sjellje të papranueshme.
Edhe futbollisti i Spanjës, Lamine Yamal, i cili është mysliman, reagoi kundër thirrjeve, duke theksuar se përdorimi i fesë për të fyer dikë është mungesë respekti dhe racizëm.
Federata Egjiptiane e Futbollit i cilësoi thirrjet një “akt të neveritshëm racizmi”, por nënvizoi se sjellja e një grupi të vogël tifozësh nuk do të dëmtonte marrëdhëniet mes dy federatave.
Masa disiplinore do të zbatohet vetëm në ndeshjen e ardhshme miqësore që Spanja do të luajë në vendin e saj, dhe jo në një takim zyrtar.
Zbatimi i vendimit mund të shtyhet në varësi të kalendarit të Spanjës në Ligën e Kombeve dhe në kualifikueset e Kampionatit Evropian 2028.





