Në sallën ‘ovale’ të Bankës së Shqipërisë, sikur të ishte në një mbledhje të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri mblodhi bankierët për t’i dhënë një mesazh tjetër Protestës. Ose më mirë të njëjtin mesazh me gur në dorë që ka tre ditë që e përsërit: Nuk iki!
Për 30 minuta, kryeministri i bëri bankierët vendas dhe të huaj ta dëgjonin me vëmendjen e atij që duhet t’i thotë ‘Derrit jo thjesht Dajë, por dajush!’.
Monologun e përditshëm antistudent, sot kryeministri e pasuroi me antipedagogët. Si risi, përveç tundjes së gurit në një sallë fine bankierësh, solli masat e parashikuara kundër protestuesve të dhunshëm. Do t’i zbulojmë fytyrat e tyre prapa maskave dhe do i ndalojmë të përdorin trenat dhe aeroportet – tha ai me një siguri triumfaliste.
Ishte ky çasti kur CEO i Abi Bank, Andi Ballta, shkëputi sytë me gjithë vëmendjen nga telefoni dhe admiroi gjetjen e mikut të tij kryeministër, i cili do mbronte sistemin e shëndoshë financiar të Shqipërisë, duke ‘burgosur’ me inteligjencë dhe teknologji të lartë, armiqtë e saj.
Kryeministri shqiptar fliste për armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm të pushtetit të tij në prani të CEO-ve të huaj, si turku Seyhan Pencabligil i BKT, italiani Giuseppe Giampietro i Intesa Sanpaolo, apo francezi Canacaris i Raiffeisen, duke përdorur si shembuj krahasues pikërisht revoltat që po ndodhnin në shtetet e tyre të origjinës.
Në krahun e tij, bashkë me vartësit e qeverisë, ministrat Petrit Malaj dhe Delina Ibrahimaj, qëndronte Guvernatori i Bankës me dy zëvendëset e tij të botoksuara, njëra prej tyre, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese deri një vit më parë.
Në sallën ‘ovale’ si dekor kryeministror u bënë pjesë bankierët dhe financierët e elitës financiare të Shqipërisë, të rreshtuar sikur të ishin të detyruar të dëgjonin histori me studentë dhe policë që rriheshin me njëri-tjetrin në rrugët e Tiranës.
Detyrimi dhe ‘gëlltitja’ e tyre e ka një shpjegim.
Bankat në Republikën e Shqipërisë, si qendrorja dhe ato private nuk janë të lira. Aspak të pavarura. Funksionimi i kësaj industrie që hedh në erë qeveritë dhe pushtetet në demokracitë perëndimore, në Shqipëri, ashtu si dhuna shtetërore me ‘shkop gome kokës’, është krejt ndryshe.
Qeveria dhe kryeministri kanë ‘gurin dhe arrën në dorë’. Kanë në duar suksesin dhe dështimin e një biznesi, qoftë dhe të një industrie të rëndësishme si ajo bankare.
Qeveria zgjedh Guvernatorin e Bankës qendrore, ky i fundit kontrollon bankat dytësore dhe, zinxhiri i suksesit bashkë me dështimit të tyre përfundon në duart e… kryeministrit.
Shoqata e Bankave, si të gjitha sindikatat e ngordhura të çdo fushe, biznesi apo profesioni, që nuk ka asnjë ndikim në qeveri apo shoqëri, është një duartrokitëse e rregullt e broçkullave të kryeministrit sa herë ai kërkon një auditor për t’i lëshuar publikisht ato. Ashtu si sot, kur bankierët vendas dhe të huaj, ‘duartrokitën’ hakërrimin e kryeministrit për ‘ata’ që do guxonin të vazhdonin revoltën kundër tij.
Është kjo ‘duartrokitje’, që i bëri protestuesit e këtyre ditëve, të sulmonin simbolet bankare si bankomatet bashkë me zyrat e degëve të bankave, që natyrisht nuk kishin para dhe as letra me ‘vlerë’ për t’u shkëmbyer me para.
Është kjo ‘sahanlëpirje’ e vazhdueshme ndaj pushtetit të kryeministrit që i bëri protestuesit të godasin, si asnjëherë tjetër, dyert bashkë me xhamat e Bankës së Shqipërisë. Sepse ata e dinë: Qeveri – Banka janë një. Dhe kryeministri qëndron në shpinë të kësaj godine financiare.
Ata e dinë që qarkullimi i parave të pista bëhet në kanalet e këtyre bankave, nga këta ‘duartrokitës’, e që për ‘pjesën’ e tyre në ciklin korruptiv të qeverisë, lejojnë ‘thasët’ e parave të vjedhura nga puna, mundimi dhe djersa e njerëzve të thjeshtë.
Bijtë e të munduarve janë ngritur me ‘gurë’ në revoltë. Kjo nuk i pëlqen kryeministrit, madje guri i revoltës i është kthyer në makth. Ndaj dhe bredh sallë më sallë dhe ditë pas dite me të në dorë.
Po bankierët përse duhet të shihnin gurin që kërkon të ‘çajë’ kokën e tij?
Deri në ç’pikë janë të detyruar ta luajnë rolin e fasadës financiare?
Ata s’mund të jenë ‘guri’ i çmuar financiar, që garanton suksesin e dështuar të qeverisjes bashkë me të kryeministrit të saj.
Nëse do ishte kështu, ‘guri’ i fasadave të xhamit që nuk ka sjellë asnjë dëm që të cenojë ‘botoksin’ bankar, do drejtohej seriozisht në kokën e atyre që vjedhin protestën bashkë me revoltën ndaj kryeministrit dhe qeverisjes së dështuar të tij.

Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






