Të dielën në mëngjes, pas një tjetër nate përplasjesh në qendër të Tiranës, kryeministri Edi Rama doli me një fjalim që kishte dy fytyra.
Në pjesën e parë, ai foli si kreu i një partie në betejë: akuzoi Partinë Demokratike se godina e saj ishte kthyer në strehë për dhunuesit, foli për “ekstremistë të Antifas”, për “duar të huaja” që nuk e duan Shqipërinë në BE dhe për “maska” që pretendojnë se përfaqësojnë studentët, por që sipas tij përfaqësojnë krimin e organizuar.
Në pjesën e dytë, foli si jurist penalist dhe civilist. Ai prezantoi një paketë me gjashtë instrumente ligjore “kundër dhunës dhe anarkisë urbane”, të hartuara dhe huazuara, sipas tij, nga modelit francez dhe ai italian.
Paketa përmban një akt normativ për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara, një ligj të ri sipas parimit “kush thyen, paguan”; ndryshime në ligjin “Për tubimet” të vitit 2001; një regjistër elektronik për “dhunuesit urbanë”; ndryshime në Kodin e Etikës së mësuesve dhe një varg veprash të reja penale që do duhet të futen dhe t’i shtohen Kodit Penal.
Ndërkohë, kryeministri premtoi se ditët në vijim do të sjellë buxhetin e 2027-ës me “risi pozitive” për familjet dhe studentët, si një lloj karrote, që shoqëron shkopin “ligjor” të gomës.
Parimet e paketës që prezantoi kryeministri, sipas tij, mbështeten në Kushtetutë dhe konventat apo normat e sjelljes:
- protesta paqësore mbrohet,
- dhuna ndëshkohet,
- dëmi paguhet nga ai që e shkakton.
Askush në botë, nuk mbron sulmin e institucioneve, atë që thyen vitrinën e një dyqani apo godet një polic me gurë – deklaroi kryeministri në fjalën e tij, që e theksonte në seksione me ton kërcënues.
Kur i lexon masat një nga një, kupton se pas parimit “kushtetues” fshihet një tjetër synim që vishet me parim:
- policia vendos,
- policia gjobit,
- policia regjistron,
- policia ndalon.
Po Gjykata? Gjykata, në narrativën e kryeministrit gjen një rol sipërfaqësor ku, në shumicën e rasteve, mund të flasë vetëm pasi ndëshkimi është ekzekutuar.
Masat administrative dhe ligjore që paralajmëroi kryeministri
1. Akti qeveritar: dëmshpërblim i drejtë, por gjobë pa gjyq
Akti normativ është një akt që qeveria e miraton vetë. Ai ka fuqinë e një ligji, pa kaluar më parë nga Kuvendi. Kushtetuta e lejon vetëm në raste “nevoje dhe urgjence” dhe Kuvendi duhet ta miratojë më pas, ndryshe ai humbet fuqinë. Pra, është mjet i jashtëzakonshëm, ashtu si e paraqet gjendjen kryeministri.
Pjesa e parë e këtij akti pretendon ndihmë reale për bizneset e vogla në masën 100%. Shteti do t’u mbulojë dëmet bizneseve më të mëdha të dëmtuara, minimalisht nga 70 deri në 100 për qind të dëmeve. Por dhe kjo ndihmë duhet të kalojë disa etapa “elektronike” në e-Albania. Madje do të bëhet edhe një analizë e tyre nga administrata tatimore, nëse ato kanë detyrime, ose jo. Më pas do të vendoset…
A do jenë bizneset e vogla apo të mesme të pasqyrojnë “zorrët” e barkut të biznesit të tyre para organeve tatimore? Kjo është një pyetje që do shoqërojë ndihmën e shtetit me “spec”. Shkurt, duhet të jesh biznes model që të përfitosh. Po a ka biznese të tilla në Shqipëri?
Sipas kryeministrit, dëmin do ta paguajnë ata “për të cilët gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin”. Për një jo-jurist kjo mund të duket logjike, por nuk është.
Kur gjykata vlerëson arrestimin, ajo thjesht konfirmon se policia kishte arsye të mjaftueshme për ta ndaluar dikë dhe vendos një masë sigurie, si arresti me burg apo detyrimi për t’u paraqitur. Gjykata nuk ka thënë ende nëse personi është fajtor. Ky vendim vjen vetëm në fund të gjyqit, ndonjëherë pas muajsh apo vitesh, dhe (kur) shumë të arrestuar dalin të pafajshëm.
Me këtë akt, një i ri i arrestuar mbrëmë mund ta paguajë gjobën sot dhe të shpallet i pafajshëm (nesër) vitin tjetër. Kjo shkel prezumimin e pafajësisë, parimin sipas të cilit askush nuk mund të trajtohet si fajtor derisa një gjykatë ta shpallë të tillë me vendim përfundimtar (neni 30 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut e ndalojnë këtë).
Nga ana tjetër, për dëmet e shkaktuara nga të miturit, “gjoba”, sipas kryeministrit, kalon te prindërit.
Çfarë parashikon Kodi Civil për këtë “shpikje”?
Kodi Civil e parashikon që prindi përgjigjet për dëmin që shkakton fëmija i mitur, por këtë e vendos gjykata, pasi dëgjon të dyja palët në një gjyq civil. Këtu dëmshpërblimi civil shndërrohet në ndëshkim administrativ për një person që nuk ka asnjë faj apo nuk ka kryer asnjë shkelje. Por Kryeministri foli për “përgjegjësi vetjake”, megjithëse civilisht ky “premtim” e kundërshton këtë kërcënim.
2. “Kush thyen, paguan”: 500 mijë lekë për të qëndruar në turmë
Emri i ligjit premton se do të paguajë ai që thyen. Por teksti i paraqitur nga kryeministri shkon më larg: do të paguajë edhe ai që thjesht nuk largohet. “Kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë… duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë“, tha ai, do të gjobitet deri në 500 mijë lekë, njësoj si ata që gjuajnë.
Imagjinohet një protestë, si ato që po bëhen. Me mijëra njerëz, në errësirë, me gaz lotsjellës e me zhurmë. Diku, në një cep të sheshit, një grup i vogël hedh molotovë. Policia jep paralajmërim me megafon. Studentja që qëndron njëqind metra larg, me një pankartë në dorë “Rama sjell lot”, a mundet ta dëgjojë paralajmërimin? A mundet të shquajë se çfarë po ndodh në anën tjetër të sheshit? Kush e provon që “e dinte”? Ligji e lë këtë vlerësim në dorë të policisë, në një moment kaosi. Është një formë përgjegjësie kolektive, ku fajtorin e piketon polici që e pa se ishte aty.
Kryeministri godet me shumën e gjobës 5 milionë, familjet e protestuesve të rinj që jetojnë me një pagë minimale, 500 mijë lekë. Dhe 5 milionë është buka e gojës e thuajse 1 viti pune.
Askush nuk i ka thënë kryeministrit që një gjobë administrative ashtu si një dënim penal, nuk matet njëlloj si për një organizator të ‘dhunës’, ashtu dhe për të riun që nuk lëvizi në kohë. Ka një proporcionalitet në dënim dhe faj, parim që kërkon që ndëshkimi të jetë i ndryshëm sipas rrethanave.
3. Ligji “Për tubimet”
Ky është ndoshta ndryshimi më ‘bombë’ që kryeministri e vuri para Protestës.
Sot në Shqipëri nuk ke nevojë për leje për të protestuar. Mjafton të njoftosh policinë paraprakisht, që ajo të marrë masat për sigurinë dhe qarkullimin. Kjo është zgjedhje e qëllimshme e Kushtetutës: shteti informohet, nuk autorizon.
Kur kryeministri flet për gjobë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për “pjesëmarrje në tubim pa leje”, fjala “leje” nuk është e rastësishme. Ajo shënon kalimin nga një sistem njoftimi në një sistem autorizimi, ku protesta lejohet vetëm nëse pushteti thotë ‘po’. Pikërisht këtë e paralajmërojnë Komisioni i Venecias (organi i Këshillit të Europës për çështjet kushtetuese) dhe ODIHR-i (zyra e OSBE-së për demokracinë), të cilët kryeministri i citoi si mbështetje të paketës.
Gjykata e Strasburgut ka vendosur në disa raste se edhe protestat spontane, ato që lindin brenda orësh si reagim ndaj një ngjarjeje, mbrohen nga Konventa, dhe se autoritetet duhet të tregojnë tolerancë ndaj njëfarë shqetësimi të jetës së përditshme.
Një protestë që nuk prish asgjë nga rutina e qytetit nuk shihet nga askush. Prandaj gjoba prej 5 mijë lekësh për çdo pjesëmarrës që “bllokon qarkullimin” kërkon të ndëshkojë vetë mënyrën se si protesta funksionon.
Më e rënda është se, Policia do lejohet me ligj të ndalojë edhe tubimet deri në 72 orë, brenda një perimetri rreth shkollave, spitaleve, objekteve të kultit dhe institucioneve shtetërore, kur sipas saj ka “rrezik real dhe të afërt” dhune.
Shkollat dhe spitalet janë një mburojë e mirë për të bërë atë që fshihet pas tyre: Ndalimin e protestës kur ajo drejtohet ndaj pushtetit. Policia mund ta largojë “protestën” nga Kryeministria, Parlamenti apo ministritë mbi bazën e vlerësimit të vet, vendim që merret nga “shkopi i gomës” së ekzekutivit, kundër të cilit protestohet.
Në rrjetet sociale, policia merr do marrë rolin e “Adminit”. Kur gjen një postim që e konsideron “thirrje për dhunë”, do t’i dërgojë mbajtësit të llogarisë njoftim që ta fshijë menjëherë, madje i do t’i ofrojë edhe “mbështetje psikologjike”.
Kush do ta përcaktojë kufirin mes një thirrjeje për dhunë dhe një postimi të zemëruar, ironik apo të ashpër politikisht?
Në një shtet ligjor, fshirjen e përmbajtjes e urdhëron gjykata. Ndërsa në shtetin “kryeministror” kjo kërkohet të bëhet nga një polic. Është pikërisht kjo censurë paraprake që gjykatat europiane e shohin me shumë dyshim dhe e godasin më fort se çdo censurë tjetër.
4. Regjistri elektronik dhe ndalimi i daljes nga Shqipëria
Ky është “shkopi” më goditës i të gjithë paketës. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, sipas asaj që kryeministri tha, do të krijohet një regjistër i personave “të referuar ose nën hetim” për vepra kundër shtetit dhe rendit publik.
“Të referuar” do të thotë që policia ka dërguar emrin në prokurori. Nën hetim do të thotë se prokuroria po verifikon. Asnjë nga këto nuk do të thotë i akuzuar, aq më pak i dënuar.
Mbi bazën e këtij regjistri, policia kufitare do t’i refuzojë daljen nga vendi kujtdo që sipas saj “synon t’i shmanget ndjekjes penale”.
Por neni 38 i Kushtetutës flet qartë për lirinë e lëvizjes: kushdo është i lirë të largohet nga Shqipëria. Kjo liri mund të kufizohet, por vetëm me ligj dhe në mënyrë proporcionale, siç kërkon neni 17 i Kushtetutës.
Një VKM nuk mund të kufizojë të drejta kushtetuese. Kodi i Procedurës Penale e njeh ndalimin e daljes jashtë shtetit si masë sigurie, por atë e vendos gjykata, pasi dëgjon prokurorin dhe avokatin e të ‘ndaluarit’.
Ndërsa sipas kryeministrit antiprotestë, vendimin për moslejimin e lëvizjes do ta marrë policia, në pikën kufitare, pa gjyqtar dhe pa avokat.
VKM-ja sipas kryeministrit do të shkojë edhe më larg. Ajo parashikon njoftimin e autoriteteve të huaja, të hoteleve dhe të kompanive ajrore, detare e hekurudhore për “rrezikshmërinë” e personit.
Protestuesit do e gjejnë veten të refuzuar në një hotel në Itali apo në sportelin e një aeroporti në Gjermani, apo Spanjë, pa asnjë njoftim dhe pa mundësi ankimi për të sqaruar një situatë që mund të jetë e pavërtetë.
Stigmatizimi policor pa përfillur një vendim gjyqësor, në kundërshtim me të drejtën për privatësi që e mbron me fanatizëm neni 35 i Kushtetutës gjen provën në fjalën e Kryeministrit, i cili paralajmëroi çdo “dhunues” se do të gjejë “belanë” për të hyrë apo për të qëndruar në Europë, duke e shpallur “regjistrin antiprotestë” një Xhandar ndërkombëtar.
5. Kodi i Etikës për mësuesit
Mësuesit kërcënohen me pezullim dhe largim nga puna, por kjo nuk mendohet të bëhet mbështetur në ligjin për arsimin parauniversitar ose në Kodin e Punës, por me ndryshimin e një Kodi etik, që e miraton ministria e arsimit. Pra, Mirela Kumbaro do ketë firmën e largimit për mësuesit e nxënësve që protestojnë të revoltuar kundër saj.
Kriteri dinak “në kundërshtim me interesin më të lartë të fëmijës” është aq i gjerë sa mund të përfshijë gjithçka.
Mësuesi që diskuton në klasë një protestë, që ndan një postim në Facebook ku e ndjekin edhe nxënës, apo që thjesht ndodhet në të njëjtën protestë me ta, do “largohet” nga puna.
Efekti më i madh i këtij “kërcënimi” nuk do të jetë në vetë ndëshkimi, por heshtja për të mos provokuar atë.
Kryeministrit nuk ia kanë treguar se, nxënësit 16 apo 17-vjeçarë kanë vetë të drejtën e tubimit, të njohur nga Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës.
6. Kodi Penal: më shumë vepra, për të mbrojtur pushtetin
“Kapitulli penal” në fjalën e Kryeministrit sot ishte më i gjati.
Ndëshkimi i videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale që mashtrojnë publikun dhe dëmtojnë dikë, apo i publikimit të adresës së një personi për ta ekspozuar ndaj sulmeve, janë boshllëqe reale të ligjit tonë. Edhe zgjerimi i veprës së kanosjes online, që sot ndëshkohet vetëm kur ka motive etnike, racore apo fetare, i mbron të gjithë qytetarët.
Por pranë tyre ka dispozita që nëse zbardhen siç i lexoi kryeministri, e zhvendosin peshën drejt kontrollit agresiv të pushtetit mbi qytetarin protestues.
Mbrojtja e posaçme e deputetëve, funksionarëve dhe “personave publikë” nga kanosja, me dënime më të rënda se për qytetarët e zakonshëm, shkon kundër një parimi të ngulitur prej dekadash në Strasburg: kush zgjedh të ushtrojë pushtet duhet të durojë më shumë kritikë, jo të gëzojë më shumë mbrojtje.
Demokracia perëndimore kritikën dhe protestën nuk e ndëshkon, ndërkohë që pushteti në Shqipëri kërkon që ta procedojë.
Dënimi deri në 10 vjet burg për prindin, mësuesin apo edukatoren që lë pa mbikëqyrje një fëmijë nën 14 vjeç është “qershia mbi tortë” e paketës antiprotestë që njoftoi sot kryeministri Rama.
Ai lexoi me shikim të sigurt ligjor një dispozitë që nuk ka asnjë lidhje me protestat, me dhunën urbane apo me rendin publik në Shqipëri, por që do jetë etiketa e paketës së masave qeveritare.
Diktaturë apo demokraci?
Kryeministri e mbylli fjalën e tij duke thënë se paketa “nuk ka asnjë shpikje alla shqiptarçe” dhe se asnjë nen i saj nuk bie ndesh me të drejtat e qytetarëve.
Nëse do të ishte kështu, ajo do të kishte nisur me një konsultim të gjerë publik; me opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias; me një debat serioz në Kuvend dhe me dëgjimin e atyre që do të preken direkt – qytetarëve.
Por jo, paketa “Do ruajmë me çdo kusht pushtetin” u prezantua nga Edi Rama këtë të dielë në mëngjes, pas një të shtune trazirash, ku plumbat pa barut të pushtetit, goditën pa mëshirë “përfituesit e paketës”, dhe prezantuesi i saj i quajti protestuesit mercenarë, kriminelë të organizuar dhe vegla të “duarve të huaja”.
Paketa antiprotestë u deklarua.
Ajo me vota parlamenti dhe vendime qeverie konsiderohet e miratuar po të kujtohet “Reforma e administrativo-territoriale” që u votua nga 84 “shkopa gome” së fundi në Kuvend.
Mbetet vetëm të shihet nëse protesta do lejojë instalimin e diktaturës ligjore ose jo.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





