A mund të krijojnë një miqësi të sinqertë dy gra që kanë pasur lidhje me të njëjtin burrë dhe kanë fëmijë me të? Historia e prezantueses britanike Laura Anderson dhe infermieres Natasha Gray tregon se kjo është e mundur. Pavarësisht dyshimeve të miqve dhe vështirësive që mund të sjellë një ndarje, ato kanë ndërtuar një marrëdhënie të afërt, duke vendosur në qendër fëmijët e tyre, të cilët kanë të njëjtin baba. Madje, dy gratë kanë kaluar pushimet së bashku dhe po përgatiten të festojnë edhe Krishtlindjen si një familje e zgjeruar.
Laura Anderson, ish-konkurrente e spektaklit televiziv Love Island dhe prezantuese radioje, është nëna e Bonnie-t, një vajze trevjeçare nga marrëdhënia e saj me aktorin britanik Gary Lucy.
Përpara lidhjes me Laurën, aktori kishte qenë për 14 vjet në një marrëdhënie me Natasha Gray, me të cilën ka katër fëmijë.
Pas përfundimit të marrëdhënies me Gary-n, Laura vendosi të krijonte një raport me Natashën, në mënyrë që vajza e saj të kishte mundësi të rritej pranë katër motrave dhe vëllezërve nga babai.
Por jo të gjithë e pritën mirë këtë vendim.
Kur Laura u tregoi miqve se do të shkonte me pushime me ish-bashkëshorten e ish-partnerit të saj, disa e këshilluan të tregohej e kujdesshme.
“Më thoshin të ruhesha nga ajo marrëdhënie dhe të mos e konsideroja domosdoshmërisht të sinqertë”, rrëfen ajo për BBC.
Megjithatë, Laura nuk e sheh Natashën si një rivale apo thjesht si nënën e fëmijëve të tjerë të ish-partnerit të saj. Sot ajo e konsideron një mike.
Në një intervistë për podkastin CBeebies Parenting Download, Laura tregon se dëshira për të ndërtuar këtë marrëdhënie lidhet edhe me historinë e saj personale.
Kur ishte 14 vjeçe, ajo zbuloi se kishte një motër nga një marrëdhënie e mëparshme e babait. Me kalimin e viteve, të dyja krijuan një lidhje shumë të ngushtë.
Pikërisht kjo përvojë e bëri të kuptonte rëndësinë që mund të ketë marrëdhënia mes motrave dhe vëllezërve, edhe kur nuk kanë të njëjtën nënë.
Laura nuk dëshironte që vajza e saj të humbiste mundësinë për të krijuar një lidhje të tillë.
Ajo pranon se, menjëherë pas ndarjes, nuk ishte emocionalisht e përgatitur për këtë hap.
“Ndoshta kishte një periudhë kur nuk isha plotësisht gati, sepse Bonnie ishte më e vogël dhe unë ende po përpiqesha të përballoja ndarjen”, shpjegon ajo.
Por gradualisht filloi ta shihte situatën ndryshe.
“U ndjeva më rehat me idenë dhe mendova se duhej të bënim përpjekje. Ishte një mundësi për t’i dhënë Bonnie-t diçka më shumë sesa vetëm mua dhe atë”, tregon Laura.
Historia e saj është një shembull i asaj që njihet si familje e përzier, ku fëmijë dhe të rritur nga marrëdhënie të mëparshme krijojnë lidhje të reja familjare, pavarësisht ndarjeve mes prindërve.
Eksperti i bashkëprindërimit Aaron Dale, autor i librit The Co-Parent: A Toolkit for Parenting Together, Apart, thotë se marrëdhënie të tilla mund t’u ofrojnë fëmijëve një rreth më të gjerë dashurie dhe mbështetjeje.
Edhe ai ka një histori personale që e ka ndikuar në mënyrën se si e sheh familjen.
Aaron është rritur në të njëjtën lagje me motrat dhe vëllezërit nga babai, por babai i tij nuk ua kishte mundësuar të njiheshin.
Sot ai ka dy djem nga dy marrëdhënie të ndryshme dhe është i vendosur që ata të mos përjetojnë të njëjtën gjë.
“I premtova vetes se djemtë e mi nuk do të ndiheshin kurrë sikur të ishin gjysma e diçkaje. Djemtë e mi janë vëllezër. Pikë”, shprehet ai.
Aaron ruan marrëdhënie bashkëprindërimi me ish-partneret e tij dhe thotë se ka krijuar një raport shumë të mirë edhe me njerkun e njërit prej djemve.
Sipas tij, kur të rriturit arrijnë të lënë mënjanë konfliktet personale, fëmijët mund të përfitojnë nga marrëdhënie të shumta pozitive.
Megjithatë, ai thekson se ndërtimi i një familjeje të përzier nuk është gjithmonë i thjeshtë.
Prindërit duhet të njihen me njëri-tjetrin, të kuptojnë vlerat dhe pritshmëritë e secilit dhe të vendosin kufij të qartë.
Po aq e rëndësishme është të respektohen marrëdhëniet që fëmijët kanë krijuar më parë.
“Ju po bëheni një zgjerim i familjes ekzistuese të fëmijës, jo zëvendësues i dikujt tjetër”, shpjegon eksperti.
Ai këshillon që asnjë i rritur të mos përpiqet të zërë vendin e një prindi tjetër dhe që fëmijët të mos ndihen sikur, duke dashur një person të ri, po tradhtojnë prindin e tyre.
Për Laurën, këshilla më e rëndësishme është që vendimet të merren duke menduar për fëmijët dhe jo për marrëdhëniet e dështuara mes të rriturve.
“Përpiquni të jeni sa më pak egoistë dhe të lini mënjanë ndjenjat negative që mund të keni ndaj ish-partnerit”, thotë ajo.
Ajo i inkurajon prindërit që të mos heqin dorë menjëherë, edhe nëse përpjekjet e para për të ndërtuar një marrëdhënie të re familjare nuk priten mirë.
Pushimet e verës që Laura kaloi me Natashën dhe pesë fëmijët e tyre rezultuan një përvojë që i ndryshoi edhe mendimin e miqve të saj.
Pasi panë fotografitë e të gjithëve së bashku, shumë prej atyre që fillimisht kishin qenë skeptikë pranuan se dy gratë dukeshin të lumtura dhe të çliruara në shoqërinë e njëra-tjetrës.
“Më thoshin: Dukeni kaq rehat dhe kaq të lumtura”, kujton Laura.

Ajo e përshkruan udhëtimin si një nga pushimet më të bukura që ka kaluar ndonjëherë.
“U ndjeva vërtet shumë rehat. Kishte dashuri nga të gjitha anët”, shprehet ajo.
Tashmë Laura dhe Natasha kanë planifikuar të kalojnë së bashku edhe Krishtlindjen, duke rezervuar një qëndrim në rajonin piktoresk të Cotswolds, në Angli.
Për fëmijët kanë përgatitur pizhame të njëjta, një darkë festive që do të gatuhet nga një kuzhinier dhe madje edhe një vizitë nga Babagjyshi i Vitit të Ri.
“Duam t’i krijojmë këto kujtime. Duam thjesht t’i shijojmë të gjitha”, thotë Laura.
Historia e dy grave tregon se përfundimi i një marrëdhënieje sentimentale nuk duhet të nënkuptojë edhe ndërprerjen e lidhjeve familjare mes fëmijëve. Për Laurën dhe Natashën, ajo që i bashkon sot nuk është e kaluara me të njëjtin burrë, por dëshira që fëmijët e tyre të rriten duke e njohur dhe dashur njëri-tjetrin.
Burimi: BBC





