Sot, më 22 nëntor, është një nga datat më të shënuara kombëtare, përkujtimi i Kongresit të Manastirit dhe i vendimit të tij për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit është një ngjarje historike e rëndësishme jo vetëm për alfabetin, gjuhën apo të shkruarit shqip, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë e kurdo kanë jetuar e do të jetojnë.
Pas Kuvendit të Lezhës (1444) dhe Lidhjes së Prizrenit (1878), Kongresi i Manastirit (1908) është pa dyshim ngjarja kombëtare më madhore, ku janë marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve. Por, ndryshe nga dy ngjarjet e para, Kongresi i Manastirit shpërfaq një spektër më të gjerë për nga problematika e larmishme kombëtare e këtyre vendimeve.
Përveç vendimeve kulturore e gjuhësore, Kongresi do të merrte edhe vendime të tjera politike, administrative, të cilat u vunë në funksion të njëra-tjetrës. Për herë të parë deri në këtë kohë shqiptarët po e konceptonin ta realizonin historinë e tyre kombëtare të bashkimit dhe të shkëputjes nga pushtuesi i huaj përmes gjuhës shqipe, me një alfabet të njësuar latin.
Studiues të ndryshëm kanë theksuar se Kongresi i Manastirit ishte produkt historik kombëtar gjithëpërfshirës. Ai u përball me një problematikë komplekse politike, shoqërore, kulturore e arsimore, e cila e bëri bashkë elitën më të rëndësishme kombëtare të kohës, me synimin për t’u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve themelore, duke e filluar punën me njësimin e alfabetit.
Ndër arkitektët kryesorë të Kongresit të Manastirit dhe alfabetit, siç shprehet prof. dr. Shezai Rrokaj, janë Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda. Ai thekson se Kongresi i Manastirit ishte rezultat i dy kompromiseve të rëndësishme. Kompromisi i parë lidhej me gjetjen e “gjuhës” për zgjedhjen midis tri alfabeteve që po paraqiteshin në Kongres prej tri personaliteteve më të mëdha të trevave shqiptare: Mjedës që kishte alfabetin e vet në Shoqërinë “Agimi”, Fishtës që përfaqësonte alfabetin e Shoqërisë “Bashkimi” dhe Mit’hat Frashërit që përfaqësonte alfabetin e Frashërllinjve të Stambollit. Kompromisi i dytë ishte se vetë këto personalitete, në fakt, përfaqësonin dhe përbashkonin politikisht e kulturalisht Veriun dhe Jugun (gegët dhe toskët) e, përpos kësaj, edhe bashkësitë fetare të myslimanëve dhe të krishterëve, pra bashkimin kombëtar përmes njësimit të alfabetit dhe në vijimësi arsimimin e njësuar si dhe të gjitha pikat e tjera të programit të Kongresit.
Kongresi i Manastirit hodhi themelet e pajtimit përmes një kompromisi përbashkues kombëtar, duke mënjanuar rrezikun real të përçarjes. Ky pajtim përmes kompromisit për njësimin e alfabetit i hapi gjithashtu rrugë lëvizjes për çlirim kombëtar dhe emancipim shoqëror. Intelektualë dhe patriotë, që morën pjesë në Kongres nga të gjitha trevat, treguan dituri e vendosmëri, sepse kuptuan se njësimi i alfabetit ishte rruga e duhur për të mbërritur te bashkimi kombëtar. Kongresi nuk ishte thjesht një ngjarje kulturore kombëtare me karakter unifikues thjesht gjuhësor.
Marrë me shkurtime dhe përshtatur nga artikulli “Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda: arkitektë të Kongresit të Manastirit” i prof. dr. Shezai Rrokajt në “Çështje të gjuhës shqipe 5”, Tiranë, 2024.






