A të ka ndodhur ndonjëherë të mbarosh një vakt që supozohej të të jepte energji, por në fakt tё vjen gjumё? Nuk e ke imagjinuar dhe nuk je i vetëm. Kjo përgjumje pas ushqimit ka një emër: somnolenca postprandiale, e njohur ndryshe si “koma e ushqimit”. Sipas Sleep Foundation, edhe pse nuk është shumë e këndshme, ky është një reagim krejt normal i trupit pas ngrënies, sidomos kur konsumohen ushqime të pasura me karbohidrate.
Pas kësaj ndjenje të njohur lodhjeje fshihen arsye shkencore shumë reale. Kur konsumon karbohidrate, si bukë, makarona apo ëmbëlsira, sheqeri në gjak rritet shpejt dhe i jep trupit një dozë të menjëhershme energjie. Kjo sinjalizon pankreasin të çlirojë insulinë, e cila ndihmon që sheqeri të kalojë nga gjaku në qeliza. Në dukje gjithçka funksionon në mënyrë perfekte, por ndonjëherë insulina vepron më fort seç duhet, duke e ulur nivelin e sheqerit në gjak më shumë se normalja. Kjo rënie i dërgon trurit mesazhin për të ngadalësuar ritmin, dhe pikërisht atëherë ndihesh i përgjumur pas ngrënies. Sipas American Diabetes Association, këto luhatje të sheqerit në gjak pas vakteve janë një nga arsyet kryesore pse njerëzit ndihen të lodhur pasi hanë.
Mjafton një kombinim i zakonshëm karbohidratesh dhe proteinash, si vezë me bukë apo pulë me oriz, për ta vënë në lëvizje këtë proces. National Library of Medicine shpjegon se tre elementë luajnë rol kyç këtu: triptofani, serotonina dhe melatonina. Triptofani, i pranishëm në ushqimet e pasura me proteina, është një aminoacid që trupi e përdor për të prodhuar serotoninën, neurotransmetues që lidhet me qetësinë dhe rregullimin e humorit, si edhe melatoninën, hormonin që kontrollon ciklin e gjumit. Pas një vakti të pasur me karbohidrate, insulina ndihmon në largimin e aminoacideve të tjera nga qarkullimi i gjakut, duke i hapur rrugë triptofanit të shkojë drejt trurit. Kur ai arrin atje, niveli i serotoninës rritet dhe sistemi nervor futet në një gjendje qetësie. Kjo shpjegon pse vaktet me karbohidrate dhe proteina shpesh na bëjnë të kemi dëshirë për një sy gjumë.
Ndërkohë, vetë akti i të ngrënit aktivizon sistemin nervor parasimpatik, i cili i lejon trupit të përqendrohet tek tretja. Cleveland Clinic raporton se ky ndryshim natyrshëm ul vigjilencën dhe nxit relaksimin gjatë procesit të tretjes. Është sikur trupi i kërkon trurit të pushojë pak, ndërsa ai merret me punën e rëndë të përpunimit të ushqimit. Sa më i madh të jetë vakti, veçanërisht kur është i pasur me yndyrë dhe karbohidrate, aq më shumë energji kërkohet për ta tretur, duke shkaktuar një reagim hormonal më të fortë. Ky angazhim shtesë i sistemit tretës shpesh shoqërohet me rritje të ndjenjës së përgjumjes.
Edhe nëse ha një vakt të balancuar, ora jote biologjike mund të luajë rolin e vet. Shumica e njerëzve përjetojnë natyrshëm një rënie të energjisë në orët e para të pasdites, e cila lidhet me ritmin cirkadian dhe jo domosdoshmërisht me ushqimin. Të dhënat tregojnë se ngrënia gjatë këtij momenti të rënies energjetike mund ta bëjë ndjesinë e “komёs sё ushqimit” edhe më të fortë.
Specialistët e shëndetit këshillojnë që për të shmangur këtë cikël, të konsumohen vakte më të vogla dhe të balancuara me proteina, fibra dhe yndyrna të shëndetshme, të pihet mjaftueshëm ujë, të ruhet një rutinë e mirë gjumi gjatë natës dhe të bëhet një shëtitje e lehtë pas ngrënies. Këto ndryshime të vogla mund të sjellin një përmirësim të ndjeshëm në reduktimin e lodhjes pas ushqimit.
Ndjenja e bezdisshme e përgjumjes pas një vakti nuk është dembelizëm, por shkencë. Hormonet, sheqeri në gjak, procesi i tretjes dhe ora jonë e brendshme bashkohen për ta bërë një sy gjumë pasditeje tepër joshës. Edhe pse ky reagim është normal, nëse lodhja pas ngrënies është e tepruar ose ndodh pavarësisht nga ajo që ha, është e rëndësishme të konsultohesh me një profesionist shëndetësor.
Deri atëherë, shijoje ushqimin. Vetëm mos u habit kur truri yt të sugjeron njё sy gjumё rreth orës 2 të pasdites.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga Mental Floss – “The Real Reason You Feel So Tired After Eating”)






