Një gabim i vogël në punë, një kritikë e zakonshme apo një situatë e papritur mund të jenë të mjaftueshme për të ndezur një cikël vetëdyshimi që duket i pandalshëm. “Jam humbamen”, “Nuk jam i aftë”, “Nuk ia kam haberin fare” – janë fraza që shumë njerëz ia pëshpërisin vetes, edhe kur jashtë gjithçka duket normale. Kjo ndjesi, e njohur si sindroma e “impostorit”, nuk prek vetëm ata që janë në fillim të karrierës, por edhe profesionistë me përvojë dhe sukses të provuar.
Ekspertët e shëndetit mendor shpjegojnë se truri ynë është i prirur natyrshëm të fokusohet te rreziku dhe gabimet, një trashëgimi e instinktit të mbijetesës. Problemi nis kur kjo prirje moderne shndërrohet në filtrin kryesor të përditshmërisë, duke minimizuar arritjet dhe duke zmadhuar çdo pasiguri. Në këtë pikë, mendja fillon të punojë kundër vetes.
Terapia njohëse–sjellore është një nga metodat që po përdoret gjithnjë e më shumë për të ndërprerë këtë spiralë. Ajo i mëson njerëzit të identifikojnë mendimet e tyre automatike negative dhe t’i vënë ato në provë: a janë realisht të vërteta, apo janë thjesht interpretime të shtrembëruara të situatës? Kur ky mekanizëm kuptohet, mendimi “Nuk jam i aftë” fillon të zëvendësohet me një perspektivë më reale: “Kam gabuar, por kjo nuk më bën të paaftë”.
Shumë persona zbulojnë se mendimet e tyre më të ashpra nuk kanë prova reale pas tyre. Një mësuese nga Nju Jork rrëfen se dikur e konsideronte veten të dështuar pas çdo kritike të vogël. Sot ajo ndalet, rikujton çfarë u tha realisht dhe jo çfarë imagjinoi, duke mos lejuar më mendjen të shkruajë skenarë ekstremë.
Terapistët përdorin edhe teknika të thjeshta, por efektive, për ta ulur fuqinë emocionale të mendimeve negative. Disa i bëjnë pacientët t’i shkruajnë mendimet e tyre në letër dhe t’i shohin nga jashtë, të tjerë i ndihmojnë të gjejnë shembuj konkretë kur puna e tyre është vlerësuar. Me kalimin e kohës, truri mëson një reagim të ri: jo panik dhe vetëkritikë, por analizë dhe qetësi.
Për ata që janë rritur në ambiente shumë kritike, ky proces kërkon më shumë kohë. Një arkitekte amerikane tregon se për vite me radhë besonte se zëri i saj nuk kishte vlerë, sepse kështu i ishte thënë gjatë studimeve. Vetëm pasi punoi me terapist, ajo arriti ta zëvendësojë këtë bindje me një mendim më neutral dhe gradualisht fitoi siguri për të folur e vendosur në punë.
Ekspertët theksojnë se ndryshimi nuk ndodh brenda natës. Mendimet negative që janë përsëritur për vite të tëra nuk zhduken menjëherë. Por me ushtrime të vazhdueshme, vetëdije dhe mbështetje profesionale, spiralja mund të ndalet.
Ndaj nuk duhet harruar asnjёherё se mendimet nuk janë fakte. Ato mund të sfidohen, rishkruhen dhe zëvendësohen. Dhe kur kjo ndodh, mendja ndalon së qёnuri armiku më i madh – dhe kthehet në aleat.
(Burimi: Associated Press – AP)






