Nga kontrasT.al
Pas dekadash pune shkencore, mijëra orë kërkimi dhe një angazhim të pazakontë institucional, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe u bë më në fund realitet. Një vepër kolosale me 105 mijë fjalë, 12 500 njësi frazeologjike, mijëra shprehje, sinonime, terma bashkëkohorë dhe pasqyra gramatikore, e ndërtuar mbi një korpus me afro 1 miliard njësi tekstesh, që përfshin letërsinë klasike, publicistikën, shkencën dhe të folmet mbarëshqiptare. Ky fjalor nuk është thjesht një botim — është themeli normativ i shqipes moderne, një mjet që mëson si shkruhet, si shqiptohet dhe si zhvillohet gjuha në kohën e teknologjisë.
Risia më e madhe e tij është pikërisht ajo që çdo gjuhë serioze europiane ka bërë prej kohësh: përcaktimi i rregullave të përthithjes së fjalëve të huaja në strukturën fonetike dhe morfologjike të gjuhës vendase. Greqishtja e shkruan “ίντερνετ”, italishtja “computer”, spanjishtja “fútbol”, frëngjishtja “ordinateur”, të gjitha duke i përshtatur fjalët e huaja sipas natyrës së gjuhës së tyre. Askush nuk e quan këtë “deformim” të gjuhës, por mbrojtje të saj.
Në të njëjtën logjikë shkencore, fjalori i shqipes ka vendosur rregulla që fjalët e reja teknologjike të shkruhen ashtu si shqiptohen në shqip. Prandaj “online” shfaqet si “onlajn” — jo si kapriço, por si normë drejtshkrimore, për të ruajtur koherencën fonetike të gjuhës sonë përballë një evolucioni global që nuk pret askënd. Ky fjalor na mëson si ta përdorim shqipen saktë në shekullin XXI, jo si ta ngurtësojmë atë në muze.
Puna për këtë vepër është kryer nga ekspertët më të mirë të gjuhës shqipe në Shqipëri dhe Kosovë, me kryeredaktor akademik Jani Thomaj, zëvendëskryeredaktorë Valter Memisha dhe Shezai Rrokaj, si dhe mbi 50 studiues, pedagogë e doktorantë. Një proces shumëvjeçar, i dokumentuar dhe transparent, larg çdo improvizimi. Edhe pse Akademia e Shkencave drejtohet nga një figurë e emëruar politikisht, fjalori nuk është produkt politik, por produkt i akademikëve dhe gjuhëtarëve, njerëz që kanë kaluar jetën mes librave dhe gjuhës, jo mes fushatave.
Pikërisht për këtë, deklarata e publikuar nё rrjetetg sociale e deputetes Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Kulturën, e cila e cilësoi fjalorin si vepër me “mungesë profesionalizmi”, “gafa”, madje edhe “diskriminim” dhe “terminologji ideologjike”, ёshtё e papranueshme. Ajo paralajmëroi thirrjen e Akademisë së Shkencave në një seancë dëgjimore parlamentare për të dhënë shpjegime mbi punën shkencore të fjalorit.
Sigurisht, çdo vepër madhore mund dhe duhet të diskutohet. Por kritika shkencore bëhet nga gjuhëtarë, jo nga forume politike. Gjuha nuk është armë partie, por pasuri kombëtare. Dhe si mund tё jetё ky parlament qё kemi e qё tё gjithё e dimё si ёshtё, vendi ku gjykohen skedat leksikografike, frazeologjia dhe normat fonetike?
Komisioni që pritet të zhvillojë këtë seancë përbëhet nga: Ina Zhupa, Erion Malaj, Arkend Balla, Xhenis Çela, Loer Kume, Skënder Pashaj, Briseida Çakërri, Ramion Kurti, Agron Gjekmarkaj, Jozefina Topalli, Denisa Vata dhe Ana Dajko, me anëtarë zëvendësues Evis Kushi, Admir Kadeli, Marjana Koçeku, Klodiana Çapja, Besart Xhaferi dhe Bujar Rexha. Përveç ndonjё emri tek-tuk si Gjekmarkaj, që njihet për aftësi shkrimi, shumica e këtij komisioni nuk vjen nga fusha e gjuhësisë apo leksikografisë. Madje, shumica prej tyre as nuk dinё tё flasin mirё shqip. Ndaj një vepër akademike nuk mundet asesi të gjykohet nga njerëz pa ekspertizë përmbajtësore, duke e zhvendosur debatin nga shkenca te politika.
Edhe Ina Zhupa me kolegёt e saj duhet tё lexojnё qё tё kuptopjnё se problemi nuk është nëse një fjalë duhet të jetë “online” apo “onlajn”. Problemi është nëse ne, si shoqëri, e kuptojmë vlerën e një fjalori normativ në një kohë kur rrjetet sociale, globalizimi dhe teknologjia po e bombardojnë shqipen çdo ditë me huazime të pakontrolluara. Ky fjalor është pikërisht mjeti që vendos rregull në kaos, që i mëson brezit të ri si të shkruajë shqip në epokën digjitale pa e humbur identitetin gjuhësor.
Ta kthesh këtë vepër në objekt përplasjeje politike, do të thotë t’i bësh dëm gjuhës që pretendon se di ta flasёsh e se do ta mbrosh.
Gjuha shqipe nuk ka nevojë për flamuj partie. Ka nevojë për respekt, dije dhe vizion. Dhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe është pikërisht një hap në atë drejtim.
Ndaj larg duart nga gjuha jonё!






