Qeveria ka miratuar më 21 janar 2026 vendimin nr. 39, “Për planin vjetor të pranimit, për vitin 2026, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil”, me propozim të ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, e cila tashmë, përveç portofolit të antikorrupsionit, mban edhe përgjegjësinë politike për administratën publike.
Vendimi parashikon rekrutimin e gjithsej 1067 nëpunësve civilë gjatë vitit 2026, një shifër që përfaqëson numrin e vendeve vakante që rezultojnë aktualisht bosh në administratën shtetërore. Këto vende janë të shpërndara vetëm në 13 institucione, të listuara në vendim, që përfshijnë jo vetëm ministritë, por edhe institucionet e tyre të varësisë në nivel qendror dhe rajonal. Pra, nuk bëhet fjalë për një zgjerim të administratës, por për plotёsimin e një boshllëku të madh ekzistues.
Sipas ndarjes zyrtare, 11 pozicione janë për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues (TND), 99 për kategorinë e mesme drejtuese, 205 për kategorinë e ulët drejtuese dhe 752 për kategorinë ekzekutive.
Shifra 1067 vende bosh është në vetvete alarmante. Ajo ngre pyetje thelbësore mbi mënyrën se si është menaxhuar administrata ndër vite.
Pse këto pozicione kanë mbetur të paplotësuara për një kohë të gjatë?
Pse institucionet kanë funksionuar me struktura të paplota, ndërkohë që shërbimet publike varen drejtpërdrejt nga kapaciteti njerëzor?
Pse vendet e punës në administratën publike janё mbajtur qёllimisht vakante, në vend që të hapeshin në kohë reale për dhjetra profesionistë që prisnin të futeshin në shërbimin civil?
Paradoksi qё krijoi “gropёn” e administratёs publike, lidhet me faktin se ndërkohë që shteti planifikon të rekrutojë 1067 punonjës të rinj, vazhdon të paguajë edhe punonjës që janë larguar nga administrata, por kanë fituar të drejtën e rikthimit në detyrë përmes vendimeve gjyqësore. Pra, buxheti i shtetit mban një barrë të dyfishtë: nga njëra anë paguhen individë që kanё fituar gjyqet por nuk janë rikthyer në pozicionet e tyre, dhe nga ana tjetër hapen vende të reja për rekrutim masiv. Kjo situatë prodhon jo vetёm kosto financiare, por edhe deformon logjikën e karrierës publike. Zbeh meritokracinë duke i dhёnё “jetё” praktikës se vendimmarrjes politike për punësimet. Pёr punёsimet fiktive qё kanё detyruar profesionistёt e vёrtetё tё marrin rrugёt e emigrimit, larg administratёs sё vendit tё tyre. Vendit qё i tradhёtoi.
Emërimet e kontrollit politik
Plani i rekrutimi nuk është thjesht një akt administrativ. Ai pasqyron një administratë që ka funksionuar për vite me vende bosh, me lëvizje të përkohshme, me kontrata të përkohshme ose me bllokim të qëllimshёm të pozicioneve vakante për të ruajtur kontrollin politik mbi emërimet. Rezultati është një shërbim civil i dobësuar dhe një garë e mohuar për profesionistët e vërtetë.
Po në të njëjtën mbledhje të datës 21 janar 2026, qeveria ka miratuar edhe vendimin nr. 38, “Për hapjen e procedurës së pranimit të drejtpërdrejtë në TND dhe për kandidatët e tjerë jashtë shërbimit civil dhe për përdorimin e procedurës së pranimit të drejtpërdrejtë në TND, për vitin 2026”.
Këtu vërehet edhe një detaj domethënës institucional: të dy vendimet janë miratuar në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën mbledhje, por numёrimi i tyre është i përmbysur logjikisht. Vendimi që përcakton planin e përgjithshëm të rekrutimeve (nr. 39) duhej të paraprinte natyrshëm vendimin që hap procedurën specifike për TND (nr. 38). Ky ngatërrim në numёrim mund të duket teknik, por tregon një administrim formal të çalë edhe në vete protokollin e akteve qeveritare.
Vendimi nr. 38 nis me formulimin “Përjashtimisht”, duke hapur për vitin 2026 procedurën e pranimit të drejtpërdrejtë në Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues për kandidatë jashtë shërbimit civil.
Në teori, prej vitesh funksionon ASPA – Shkolla Shqiptare e Administratës Publike – e cila ka për qëllim pikërisht ndërtimin e një trupe të qëndrueshme drejtuesish të lartë, të formuar brenda sistemit dhe të promovuar përmes karrierës. Por praktika e “përjashtimeve të përvitshme” ka kthyer përjashtimin në rregull.
Sërish, për vitin 2026, 11 pozicione të TND-së do të hapen për kandidatë jashtë administratës publike, përmes konkursit kombëtar.
Kjo do të thotë se drejtorë të përgjithshëm dhe sekretarë të përgjithshëm mund të rekrutohen drejtpërdrejt nga “jashtë sistemit”, duke anashkaluar zinxhirin e ngritjes në detyrë dhe logjikën e shpërblimit të përvojës nё adminstratёn publike.
Jashtё sistemit janё ata qё politika i njeh mirё dhe i kёrkon tё futen nё shёrbim tё saj.
Kjo praktikë forcon modelin ku ministrat zgjedhin “këdo nga rruga”, duke i futur në nivelet më të larta drejtuese pa kaluar filtrat natyralë të shërbimit civil. Në vend që administrata të ndërtojë një kulturë stabiliteti dhe profesionalizmi, krijohet një qarkullim i vazhdueshëm i drejtuesve të përkohshëm, të lidhur me vullnetin politik të momentit.
Në këtë panoramë, një element tjetër cenon politikёn rekrutuese: Mungesa e transparencës nga Departamenti i Administratës Publike dhe nga ministrja përgjegjëse për administratën publike.
Prej vitesh ekziston një listë e kandidatëve të TND-së që kanë kaluar formimin përkatës, kanë shprehur pëlqimin për emërim dhe presin të thirren në pozicione të rregullta. Por kjo “shportë” nuk publikohet, nuk qarkullohet dhe nuk bëhet e ditur për opinionin publik. Kjo mёnyrё veprimi dhe hapja e thirrjes sё re, lë jashtë posteve publike profesionistë me përvojë shumëvjeçare, ndërsa hap rrugën për emërime të reja nga jashtë, pa konkurrencë reale me ata që janë përgatitur për vite brenda sistemit. Shkurt, ata – sahanlёpirёsit e PUSHTETIT aktual.
Në fund, dy vendimet e ditёs “tragjike” tё 21 janarit 2026 japin një fotografi të qartë të administratës publike nё Shqipёrinё qё po rend drejt BE-sё:
1067 vende bosh që duhen mbushur me militantё partiakё, 11 drejtues të lartë që do të rekrutohen nga jashtë, përjashtime që përsëriten çdo vit, mungesë transparence në listat e karrierës dhe një barrë financiare e dyfishtë për buxhetin e shtetit.
Të gjitha këto nuk janë thjesht shifra dhe procedura, por tregues të një sistemi ku vendet e punës publike vazhdojnë të trajtohen si shpёrblim dhe menaxhimi politik sesa si mekanizëm meritokracie në shërbim të qytetarëve.








