U rrita në Ohio në vitet ’60, fëmija i mesëm në një familje me pesë fëmijë. Babai punonte dy turne në fabrikë. Nëna kursente çdo dollar deri në limit. Pas shkollës, unë dhe vëllezërit e mi bridhnim në lagje pa mbikëqyrje, derisa dritat e rrugës ndizeshin. Nuk kishte telefona, orare të planifikuara apo prindër që na ndiqnin hap pas hapi. Kishte vetëm jetë – e paorganizuar, e papërpunuar dhe shumë reale.
Sot, psikologët thonë se brezi që u rrit në vitet ’60 dhe ’70 ka zhvilluar aftësi emocionale që po bëhen gjithnjë e më të rralla: qëndrueshmëri, durim, pavarësi dhe aftësi për të përballuar vështirësitë. Jo sepse gjithçka ishte më mirë atëherë – nuk ishte – por sepse kushtet na detyruan të mësonim ndryshe.
Ja 9 mësime jete që na formësuan, e që sot shumë fëmijë nuk i përjetojnë më.
1. Mërzia ishte burim krijimtarie
Verat dukeshin të pafundme. As kampe, as aktivitete të organizuara. Vetëm kohë bosh. Kur ankoheshim se ishim mërzitur, përgjigjja e prindërve ishte: “Gjej diçka për të bërë.” Sot studimet tregojnë se mërzia ndihmon trurin të zhvillojë imagjinatën, planifikimin dhe zgjidhjen e problemeve. Ne shpiknim lojëra, ndërtonim botë nga kartonë dhe shkopinj, apo thjesht mësonim të rrinim vetëm me mendimet tona. Ende sot, kjo aftësi për të mos pasur nevojë për stimul të vazhdueshëm më duket një dhuratë e rrallë.
2. Dështimi lejohej të dhembte
Nuk fitova në provën për ekipin e bejsbollit. Nuk pati medalje ngushëlluese. Prindërit më lanë ta ndjeja zhgënjimin, por nuk e trajtuan si dramë. Mesazhi ishte i thjeshtë: ndodh. Studimet sot konfirmojnë se fëmijët që mësojnë të përballen me dështime të vogla rriten më të fortë emocionalisht. Kur jeta më goditi në moshë madhore – humbje pune, kriza financiare, marrëdhënie të vështira – unë tashmë e dija se asnjë rrëzim nuk është fundi.
3. Pritja ishte normale
Do biçikletë të re? Kursim për muaj të tërë. Episodi i radhës i serialit? Javën tjetër. Për të gjetur një informacion? Biblioteka. Asgjë nuk ishte e menjëhershme. Pa e kuptuar, ne ndërtuam durimin dhe vetëkontrollin. Sot, psikologët e lidhin aftësinë për të shtyrë kënaqësinë me sukses më të madh në jetë. Ne e mësuam këtë pa eksperimente shkencore – thjesht sepse nuk kishte rrugë tjetër.
4. Loja pa mbikëqyrje ishte ligj
Lagjja ishte mbretëria jonë. Ngjiteshim në pemë, ndërtonim kasolle, zgjidhnim konfliktet vetë. Askush nuk ndërhynte për çdo grindje. Kjo na mësoi të negociojmë, të mbrojmë veten, të marrim rreziqe të llogaritura. Sot dihet se loja e lirë zhvillon pavarësinë dhe menaxhimin e stresit. Ne i mësuam këto rregulla në rrugë, jo në manuale prindërimi.
5. Të rriturit nuk ishin gjithmonë në dispozicion
Kthehesha nga shkolla me çelësin në qafë. Haja vetë diçka, filloja detyrat. Prindërit na donin shumë, por kishin jetën e tyre. Kjo na mësoi të mbështetemi te vetja. Sot shumë fëmijë kanë çdo hap të planifikuar nga të rriturit; ne mësuam të gjenim rrugën vetë.
6. Pamë pasojat reale të jetës
Kur vdiq gjyshi, isha në funeral. Pashë të rritur që qanin. Kur u sëmur qeni, ishim aty deri në fund. Nuk na fshehën dhimbjen. Kjo na mësoi se humbja është pjesë e jetës dhe se njerëzit mbijetojnë edhe pas pikëllimit. Një mësim i rëndë, por i pazëvendësueshëm.
7. Kur nuk kishte shumë, bëheshim të zotë
Rrobat kalonin nga një vëlla te tjetri. Babai riparonte gjithçka vetë. Nëna kthente një mish në tre vakte. Kjo na mësoi të gjejmë zgjidhje, jo vetëm të blejmë zgjidhje. Sot quhet “aftësi për adaptim”. Ne e quanim thjesht mënyrë jetese.
8. Mësuam më shumë nga shembulli sesa nga fjalët
Babai nuk më mbajti leksione për punën e ndershme. Ai e tregoi duke u zgjuar para agimit çdo ditë. Vlerat i kapëm duke vëzhguar, jo duke dëgjuar këshilla. Psikologët e quajnë “modelim”. Ne e quanim “ashtu bëhet”.
9. Lagjja ishte rrjet sigurie
Çdo i rritur kishte të drejtë të na qortonte. Të gjithë kujdeseshin për të gjithë. Nuk ishte kontroll – ishte komunitet. Sot kjo ndjenjë është zbehur, por ne që e kemi përjetuar e dimë sa e rëndësishme është të rritesh në një rrjet njerëzish që të njohin dhe të mbajnë përgjegjës.
Në fund
Nuk po them se duhet të kthehemi pas në kohë. Shumë gjëra atëherë ishin të ashpra dhe jo ideale. Por gjatë rrugës kemi humbur diçka të çmuar: hapësirën për t’u mërzitur, për të dështuar, për të zgjidhur vetë problemet.
Brezi ynë nuk u bë i fortë nga programe motivuese. U bë i fortë sepse jeta na kërkonte tё ishim. Ndoshta sot pyetja nuk është si të kopjojmë të shkuarën, por si t’u mësojmë fëmijëve të sotëm të njëjtat mësime thelbësore: se vështirësia ndërton forcë, se durimi sjell fryte dhe se ata janë më të aftë nga sa ne shpesh mendojmë.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga Farley Ledgerwood, Geediting)






