Në qarkun Lonoke, në Arkansas, gara për sherif ka marrë një kthesë të pazakontë. Aaron Spencer, 37 vjeç, kandidat në zgjedhjet paraprake republikane, është njëkohësisht i akuzuar për vrasje dhe në pritje të gjyqit.
Spencer pranon se ka qëlluar për vdekje një 67-vjeçar në tetor 2024, por ka deklaruar pafajësinë. Ai thotë se veproi për të mbrojtur vajzën e tij 13-vjeçare, e cila sipas familjes ishte abuzuar seksualisht nga i njëjti person muaj më parë.
Ngjarja ndodhi pas mesnate, kur Spencer zbuloi se vajza e tij nuk ishte nё dhomё. Ai nxitoi tё merrte makinёn e tij dhe, sipas dosjes së arrestimit, e gjeti tё bijёn në një makinё me Michael Fosler, i cili në atë kohë ishte liruar me kusht, edhe pse i akuzuar për 43 vepra penale si dhe pёr abuzim me vajzën e Spencer.
Sipas deklaratës së Spencer për autoritetet, ai përplasi automjetin e Fosler në një kryqëzim, u përball me të dhe qëlloi me armë pasi, siç pretendon ai, Fosler u hodh drejt tij me diçka në dorë. Ai më pas telefonoi urgjencёn, ndёrsa Fosler vdiq në vend.

Prokuroria e ka akuzuar Spencer për vrasje të shkallës së dytë, një vepër që në Arkansas mund të dënohet deri në 30 vite burg, me mundësi shtese dënimi për përdorim arme zjarri. Ai ka pretenduar pafajёsinё dhe është në pritje të një date të re gjyqi, pasi gjyqtari fillestar u tërhoq nga çështja dhe u caktua një gjyqtar i ri.
Ndërkohë, Spencer ka hyrë në politikë. Ai kandidon për sherif kundër John Staley, i cili ka qenë në detyrë për më shumë se 13 vite. Spencer, veteran i ushtrisë amerikane me shërbim në Divizionin 82 Ajror dhe ish-parashutist në Irak, nuk ka përvojë në forcat e rendit, por thotë se dëshiron të ndryshojë një sistem që, sipas tij, dështoi ta mbrojë familjen e tij.
Fushata e tij është përqendruar te mbrojtja e fëmijëve dhe te ashpërsimi i qasjes ndaj personave të akuzuar për krime seksuale. Ai ka kritikuar shumën e garancisë së dhënë për Fosler, duke e konsideruar të ulët për akuzat që rëndonin mbi të.
Rasti ka ndarë komunitetin. Shumë banorë të qarkut Lonoke thonë se e mbështesin, duke argumentuar se ai veproi si çdo prind që përpiqet të mbrojë fëmijën e vet. Disa madje kanë deklaruar publikisht se nuk do ta dënonin nëse do të ishin pjesë e jurisë. Në rrjetet sociale kanё nisur nёnshkrimin e peticioneve për pushimin e akuzave ndaj tij, duke mbledhur qindra mijëra firma.
Por ka edhe zëra kritikë. Disa banorë shprehen të shqetësuar për idenë që një person i akuzuar për vrasje të bëhet drejtuesi më i lartë i zbatimit të ligjit në qark. Ata theksojnë se një sherif duhet të veprojë me gjakftohtësi dhe brenda kufijve të ligjit, jo i nxitur nga emocionet.
Nëse Spencer fiton parapraket republikane, ai do të ketë gjasa të forta të zgjidhet sherif në një qark ku votuesit republikanë dominojnë. Kjo do të krijonte një situatë të pazakontë: një sherif në detyrë që njëkohësisht është i pandehur në një proces penal.
Spencer thotë se është i përgatitur për çdo skenar ligjor dhe se e sheh veprimin e tij si një reagim instinktiv prindëror. “Bëra atë që do të bënte çdo baba i mirë — të shpëtojë dhe të mbrojë fëmijën e tij,” është shprehur ai, ndërsa pret si rezultatin e zgjedhjeve ashtu edhe vendimin e gjykatës.
(Burimi: CNN)






