Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një dalje publike lexoi raportin e 5 anëtarëve të PD-së në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut dhe lejimin e arrestimit të saj nga SPAK.
Bardhi renditi të gjitha arsyet përse mban këtë qëndrim pesëshja e Partisë Demokratike, ku ndër më kryesoret janë:
- Ekzistojnë 70 prova të sjella nga prokurorët e SPAK që implikojnë Belinda Ballukun në krime që parashikojnë dënim me burg.
- Ajo dyshohet se i ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar shtetit shqiptar dhe rrezikon në maksimum deri në 35 vite burg.
- Ajo dyshohet dhe akuzohet se ka kryer në mënyrë korruptive 11 procedura prokurimi me një vlerë totale prej 1.1 miliardë eurosh.
- Ajo dyshohet se gjatë këtyre muajve nën hetim ka tentuar të prishë provat dhe të kërcënojë dëshmitarët përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.
Pesë anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve rekomandojnë që Kuvendi të votojë “pro” kërkesës së SPAK, për arrestimin e Ballukut dhe ndryshimin e masës së sigurisë nga “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “pezullimi i detyrës” në “arrest në burg” ose “arrest shtëpie”.
Duke cituar vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrime të Komisionit të Venecias, Gazmend Bardhi theksoi se imuniteti parlamentar nuk është një privilegj personal, por një mekanizëm për të mbrojtur veprimtarinë e Kuvendit nga ndërhyrjet me sfond politik. Ai pohoi se në rastin e Belinda Ballukut nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuza është e motivuar politikisht dhe, për këtë arsye, Kuvendi duhet t’i hapë rrugë drejtësisë.
Deklarata:
Së bashku me kolegët e mi të Grupit Parlamentar të PD, sapo kemi dorëzuar në Kuvend, Raportin e Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit.
Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro.
Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.
Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria.
Kjo sjellje e Edi Ramës është antikushtetuese, është rrënim i shtetit ligjor, është goditja më e rëndë ndaj Reformës në Drejtësi dhe pritshmërisë së qytetarëve për barazi para ligjit dhe për fundin e pandëshkueshmërisë.
Të dashur qytetarë,
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 16.12.2025 është vënë në lëvizje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila me shkresën nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025, ka kërkuar nga Kuvendi: “Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, të znj. Belinda BALLUKU, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit.”.
Kjo kërkesë e prokurorisë shoqërohet nga relacioni përkatës i arsyetuar, si dhe me provat e plota të administruara në mbledhjen e Këshillit, me anë të të cilit parashtrohet se Prokuroria në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, ka marrë si të pandehur dhe person nën hetim deputeten Belinda Balluku, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur (11 fakte penale), veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Kërkesa që bazohet në nenet 73, 95, 103 të Kushtetutës, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, është marrë në shqyrtim nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin (në vijim Këshilli) në mbledhjet e datave 19.12.2025 dhe 23.02.2026.
Në përfundim të shqyrtimit nga Këshilli, përfundimisht, 5 anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, në mbështetje të neneve 73, 95, 103 të Kushtetutës, neneve 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, neneve 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit; si dhe nga analiza e fakteve dhe rrethanave të cështjes, rekomandojnë deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë TË VOTOJNË PRO, për miratimin e kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:
– “Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi, për deputeten Belinda Balluku”, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Në fund të deklaratës për shtyp, Gazmend Bardhi njoftoi një iniciativë tjetër që lidhet me shqyrtimin e kërkesës për heqje imuniteti të Belinda Ballukut nga ana e Kuvendit.
Ai deklaroi se: “Ditën që parlamenti do të vendosë të shqyrtojë në seancë plenare kërkesën për heqje imuniteti të Ballukut, do të thirren jashtë sallës së Kuvendit qytetarët që do të ndjekin live këtë seancë dhe të zhvillojnë një protestë. Ata kanë interes të veçantë për këtë vendim të deputetëve.”
Pritet raporti i pesë anëtarëve të mazhorancës në komision, përkundrejt raportit të paraqitur nga pesë anëtarët e opozitës, si dhe vendosja në kalendar e ditës kur do të zhvillohet votimi për heqjen ose jo të imunitetit të deputetes Belinda Balluku.






