Skuqja e dukshme në anën e djathtë të qafës së Presidentit amerikan Donald Trump është rezultat i përdorimit të një kremi për trajtim parandalues të lëkurës. Kështu deklaroi për CNN mjeku i tij personal, Dr. Sean Barbabella.
Sipas tij, presidenti po përdor “një krem shumë të zakonshëm” në zonën e prekur dhe trajtimi pritet të zgjasë rreth një javë, ndërsa skuqja mund të jetë e dukshme edhe për disa javë të tjera. Barbabella nuk sqaroi arsyen konkrete pse Trump kishte nevojë për këtë trajtim, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk dha menjëherë detaje shtesë mbi gjendjen e tij.
Njolla e kuqërremtë u vu re gjatë një ceremonie për Medaljen e Nderit, ku shenja ishte e dukshme mbi jakën e këmishës dhe nën veshin e presidentit.
Trump, 79 vjeç, në muajt e fundit është përballur edhe me pyetje lidhur me mavijosje të herëpashershme në pjesën e pasme të duarve. Vetë presidenti ia ka atribuar ato shtrëngimeve të shpeshta të duarve, si dhe faktit që merr një dozë ditore aspirine më të lartë se ajo e rekomanduar, çka e bën më të prirur ndaj mavijosjeve.
Vitin e kaluar, Trump iu nënshtrua dy ekzaminimeve në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare Walter Reed, përfshirë edhe një kontroll që përfshinte imazhe kardiovaskulare. Mjeku i tij ka deklaruar vazhdimisht se presidenti “ka shëndet të shkëlqyer në përgjithësi”.
(Burimi: CNN)






