Italia po voton dhe sytë e Europës janë kthyer drejt Romës. Referendumi për reformën në drejtësi, që nisi të dielёn dhe vijon për dy ditë, nuk është më një proces teknik për sistemin gjyqësor. Ai është shndërruar në një provë force për kryeministren Giorgia Meloni – një lidere që, njësoj si Edi Rama rishtazi në Shqipëri, kërkon të legjitimojë reforma të mëdha përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Por këtë herë, loja është e rrezikshme. Sepse ndërsa Meloni i është drejtuar popullit për mbështetje, populli mund t’i kthejë përgjigjen që ajo nuk e pret.
Në ditët e fundit, dinamika e referendumit ka ndryshuar ndjeshëm. Kampi i “Jo”-së ka fituar terren, duke e kthyer votimin në një përplasje të hapur politike, ku rezultati nuk është më i sigurt. Ajo që filloi si një reformë për të përmirësuar funksionimin e drejtësisë, sot shihet si një gjykim për vetë qeverisjen e Melonit.
Reforma synon të prekë thelbin e sistemit gjyqësor italian: ndarjen e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ristrukturimin e organeve që i mbikëqyrin dhe ndryshimin e mënyrës së përzgjedhjes së tyre. Qeveria e sheh këtë si një hap drejt modernizimit të një sistemi të ngadaltë dhe joefikas. Por kundërshtarët paralajmërojnë se pas kësaj fshihet një rrezik real për pavarësinë e drejtësisë.
Në këtë klimë të tensionuar, Meloni ka bërë një kthesë të qartë në strategji. Fillimisht e rezervuar dhe e kujdesshme për të mos e lidhur drejtpërdrejt fatin e saj me referendumin, ajo është hedhur me gjithë forcën në fushatë, duke e personalizuar votimin. Retorika e saj është ashpërsuar, duke akuzuar pjesë të sistemit gjyqësor se po pengojnë qeverinë dhe duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse reforma rrëzohet.
Por pikërisht kjo përfshirje e plotë e ekspozon më shumë. Një “Jo” në referendum nuk do ta rrëzonte nga pushteti, pasi mandati i saj zgjat deri në vitin 2027, por do të godiste drejtpërdrejt autoritetin e saj politik. Do të ishte sinjali i parë i fortë se imazhi i saj si një lidere e pathyeshme po lëkundet dhe se opozita ka filluar të marrë frymë.
Në sfond, nuk mungojnë as dimensionet ndërkombëtare. Afërsia e saj me Donald Trump dhe pozicionimet në politikën globale kanë filluar të krijojnë një lloj lodhjeje dhe skepticizmi në opinionin publik italian. Referendumi, në këtë kuptim, është edhe një test për mënyrën se si Meloni shihet jashtë kufijve të Italisë.
Por mbi të gjitha, ky është një test i rrezikshëm i vetë konceptit të referendumit. Ndryshe nga Shqipëria, ku prej vitesh mungon një ligj funksional për referendume dhe qytetarët nuk pyeten për çështje madhore, në Itali vendimi i është lënë drejtpërdrejt popullit. Dhe kjo është një zgjedhje që mbart gjithmonë një rrezik: sovrani nuk kontrollohet.
Sepse kur politika vendos të ndajë pushtetin me qytetarët, duhet të jetë gati të pranojë edhe refuzimin e tyre.
Nëse “Po”-ja fiton, Meloni do të dalë më e fortë se kurrë, duke konsoliduar pozitat e saj si një nga figurat kryesore të së djathtës europiane. Por nëse fiton “Jo”-ja, kjo nuk do të jetë thjesht një humbje teknike. Do të jetë një goditje politike që mund të ndryshojë rrjedhën e mandatit të saj.
Dhe mbi të gjitha, do të tregojë një të vërtetë të thjeshtë: në demokraci, edhe liderët më të fortë nuk janë të paprekshëm kur vendimi u lihet qytetarëve.







