Një hetim paraprak ushtarak amerikan ka arritur në përfundimin se Shtetet e Bashkuara mund të jenë përgjegjëse për një sulm vdekjeprurës me raketë Tomahawk ndaj një shkolle fillore në Iran, një ngjarje që tronditi opinionin publik pasi la pas të paktën 175 të vdekur, shumica prej tyre fëmijë.
Sipas gazetës New York Times, e cila citon zyrtarë amerikanë të paidentifikuar dhe persona të njohur me gjetjet fillestare të hetimit, sulmi i 28 shkurtit ndaj ndërtesës së shkollës fillore “Shajarah Tayyebeh” ishte rezultat i një gabimi në shënjestrim nga planifikuesit ushtarakë amerikanë. Tragjedia ndodhi në qytetin Minab, pranë objekteve të përdorura nga forcat detare të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Autoritetet iraniane deklaruan se nga sulmi humbën jetën të paktën 175 persona, shumica fëmijë, duke e cilësuar atë si një nga incidentet më të rënda me viktima civile të shkaktuara nga një operacion amerikan në kujtesën e viteve të fundit.
Gjetjet paraprake duket se përforcojnë pretendimet e Teheranit, i cili më herët publikoi pamje video të momentit të goditjes dhe fragmente të raketave të prodhuara në SHBA. Këto prova u paraqitën ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump kishte sugjeruar se vetë Irani mund të kishte goditur ndërtesën.
Sipas raportit, hetimi – i cili ende nuk ka përfunduar – zbulon se oficerë në Komandën Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM) krijuan koordinatat e objektivit duke përdorur të dhëna të vjetruara të ofruara nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes. Ky gabim në planifikim dyshohet se çoi në goditjen e zonës pranë shkollës.
Megjithëse analiza të pavarura të incidentit kishin ngritur më herët dyshime serioze për përgjegjësinë e SHBA-së, administrata Trump ka ndjekur një qasje shmangieje ndaj çështjes. Vetë Trump deklaroi të shtunën se Irani ishte përgjegjës për bombardimin e shkollës. “Sipas mendimit tim, bazuar në atë që kam parë, kjo është bërë nga Irani… Ata janë shumë të pasaktë me municionet e tyre. Nuk kanë saktësi. Është bërë nga Irani”, tha ai, pa paraqitur prova për këtë pretendim.
Zëdhënësit e ushtrisë amerikane nuk e kanë përsëritur këtë pretendim dhe janë kufizuar duke thënë se incidenti është ende nën hetim. Në një deklaratë të shkurtër për The Guardian, Pentagoni tha vetëm: “Incidenti është nën hetim.” Edhe një zyrtar në Komandën Qendrore amerikane refuzoi të komentonte më tej për shkak të hetimit në vazhdim.
Pamjet historike satelitore tregojnë se ndërtesa e shkollës dikur ishte pjesë e një kompleksi më të gjerë të IRGC, por prej të paktën nëntë vitesh ajo ishte e rrethuar nga kazermat dhe funksiononte si institucion arsimor. Sipas analizave, në imazhet satelitore dallohen qartë elemente tipike të një shkolle, përfshirë murale shumëngjyrëshe dhe fusha të vogla sportive, që përbënin tregues të qartë të përdorimit civil të objektit.

Megjithatë, vendndodhja pranë objekteve ushtarake ofron një shpjegim të mundshëm pse zona mund të jetë përfshirë në listën e objektivave të mundshëm nga SHBA-të ose Izraeli.
Më 8 mars, agjencia shtetërore iraniane Mehr publikoi një video që tregon momentin kur një raketë godet një objektiv në Minab. Videoja u analizua dhe u gjeolokua nga kolektivi hetimor Bellingcat, i cili përdori krahasimin e elementeve fizike në video – ndërtesa, kulla uji, pemë dhe rrugë – me imazhe satelitore për të konfirmuar vendndodhjen dhe këndin e filmimit.
Sipas analizës së tyre, raketa goditi kompleksin e IRGC-së pranë shkollës. Ekspertët e municioneve identifikuan gjithashtu se arma e përdorur ishte një raketë Tomahawk.
NR Jenzen-Jones, drejtor i Armament Research Services, një kompani që analizon armët dhe municionet për qeveri dhe organizata ndërkombëtare, tha se ky fakt sugjeron një sulm amerikan. “Duke pasur parasysh palët e përfshira në konflikt, kjo tregon se është një sulm i SHBA-së, pasi Izraeli nuk dihet të zotërojë raketa Tomahawk”, u shpreh ai.
Ai shtoi se arma e përdorur nuk mund të jetë një raketë iraniane Soumar, pasi kjo e fundit ka një motor të jashtëm karakteristik në pjesën e pasme të municionit, element që nuk shfaqet në pamjet e analizuar.
Hetimi mbi incidentin vazhdon, ndërsa rasti ka ngritur pyetje të forta mbi saktësinë e inteligjencës dhe procesin e planifikimit të operacioneve ushtarake në zona ku objektivat ushtarake dhe civile ndodhen pranë njëra-tjetrës.
(Burimi: The Guardian)






