Komisioni i Ligjeve miratoi sot me 9 vota pro listën e 6 kandidatëve që do t’i shkojnë seancës plenare për votim si pretendentë për postin e Avokatit të Popullit. Nga ana tjetër, Partia Demokratike u tërhoq nga mbështetja e kandidaturave, duke i lënë mazhorancës të gjitha instrumentet për ta çuar procesin deri në fund vetëm me votat e saj.
Kandidatët që siguruan të paktën 28 firma të deputetëve dhe vijojnë garën janë:
- Adriana Kalaja (44 firma)
- Aranita Braho (35)
- Endrit Shabani (35)
- Besim Ndregjoni (34)
- Skënder Haluci (30) dhe
- Tartar Bazaj (28).
Katër emra të tjerë u përjashtuan për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore — mes tyre mungesë firmash ose depozitimi i dokumentacionit jashtë afatit. Përjashtimet kanë ngjallur reagime të caktuara, pasi disa prej tyre kishin mbledhur mbështetje të konsiderueshme politike.
Një proces i tejzgjatur që solli pasoja të paracaktuara
Votimi i së enjtes vjen pas një serie shtyrjesh, dështimesh procedurale dhe mungesash konsensusi mes palëve politike. Zvarritja e gjatë në zgjedhjen e Avokatit të Popullit i krijoi Erinda Ballancës mundësinë të ushtronte faktikisht një mandat të dytë, edhe pse pa u rizgjedhur formalisht — një situatë që vështirë se mund të shihet si rastësi në një kontekst ku institucionet shpesh bëhen peng i llogarive politike.
Për shumë vëzhgues, ky skenar nuk ishte i paimagjinueshëm: vonesat, kleҫkat procedurale dhe mungesa e vullnetit të dyanshëm për të arritur kompromis e kthyen procesin në një “maratonë” të lodhshme institucionale. Tani që mazhoranca ka fushёn e lirё, gara pritet të mbyllet shpejt — por jo pa lënë pas vetes pikëpyetje për besueshmёrinё e gjithë procedurës.
Çfarë pritet të enjten?
Kuvendi do të votojë kёtё tё enjte zyrtarisht 6 kandidatët, ndërsa opozita ka sinjalizuar se nuk do të bëhet pjesë e procesit.
Mandati i ri i Avokatit të Popullit, institucion që luan rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe kontrollin e administratës publike, vjen në një periudhë kur besimi publik ndaj institucioneve tё pavarura është më i ulët se kurrë. Për këtë arsye, mënyra se si mbyllet kjo garë do të peshojë më shumë sesa vetë rezultati.






