Sot Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare me një rend dite që në pamje të parë duket si procedurë rutinë parlamentare, por në thelb është një provë për respektimin e vetë Kushtetutës. Deputetët pritet të shqyrtojnë dhe miratojnë me procedurë të përshpejtuar “Kartën e Bordit të Paqes”, një dokument që qeveria e ka depozituar në Kuvend vetëm një ditë pasi e ka miratuar në parim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 21 janar 2026.
Relacioni zyrtar i qeverisë pranon pa ekuivok se vendimi për miratimin në parim është marrë dje, ndërsa sot kërkohet ratifikimi parlamentar. Pra, brenda 24 orëve, një letër politike e kryeministrit drejtuar Presidentit Trump synohet të shndërrohet në një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi.
Por Kushtetuta shqiptare është e qartë. Neni 83 përcakton se edhe procedura e përshpejtuar nuk mund të zbatohet më herët se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit të projektligjit. Kjo dispozitë nuk është dekor formal, por një garanci që Parlamenti të mos votojë asnjё ligj, e aq mё pak tё angazhohet nё nisma ndёrkombёtare pa kohën minimale të analizës. Sot kjo garanci rrezikon të anashkalohet në emër të një urgjence politike që nuk ka bazë kushtetuese.
Më paradoksale është se vetë dokumenti që kërkohet të ratifikohet përshkruan krijimin e një organizate ndërkombëtare të re, me personalitet juridik, me mekanizëm anëtarësimi trevjeçar dhe me mundësi kontributesh financiare, por pa përcaktuar ende as selinë, as strukturën përfundimtare dhe as detyrimet konkrete financiare. Me fjalë të tjera, Kuvendi sot ftohet të votojë një angazhim shtetëror për një organizatë që ende nuk ka marrë formën juridike të plotë.
Në planin politik, letra e kryeministrit drejtuar Presidentit Trump ka krijuar perceptimin e një vendimi të marrë tashmë, sikur Shqipëria është angazhuar pa kthim. Sot Kuvendi vihet përpara faktit të kryer dhe pritet vetëm të vulosë një angazhim të personalizuar nga qeveria. Nëse kjo ndodh pa respektuar afatet kushtetuese, atëherë Parlamenti nuk po ushtron kontroll demokratik, por po shërben si noter politik.
Askush nuk vë në dyshim rëndësinë e paqes si vlerë universale. Por paqja e eksportuar në arenën ndërkombëtare nuk mund të ndërtohet duke shkurtuar procedurat kushtetuese brenda vendit. Nëse sot rregullat e Kushtetutës anashkalohen për një marrëveshje që vetë quhet “Kartë e Paqes”, atëherë në emër të paqes globale, shkelet paqja juridike e rendit kushtetues të Shqipërisë.
Sot në Kuvend nuk do të testohet vetëm një projektligj. Do të testohet nëse Kushtetuta është ende ligji më i lartë, apo thjesht një pengesë që kapërcehet sa herë që politika vendos të veprojë me shpejtësi.









