Shumë njerëz vërejnë se pas një filxhani kafe ndihen më energjikë, më të përqendruar dhe më të lumtur. Por a do të thotë kjo se kafeja mund të luftojë depresionin?
Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, lidhja ekziston — por është më e kufizuar nga sa mendohet. Studime të mëdha kanë gjetur se konsumimi i kafesë lidhet me rrezik pak më të ulët për simptoma depresive. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kafeja parandalon apo trajton depresionin.
Kafeina, përbërësi aktiv i kafesë, është stimulues. Ai rrit sinjalizimin e dopaminës në tru — hormon i lidhur me motivimin dhe ndjesinë e kënaqësisë — duke na bërë më vigjilentë dhe më të angazhuar. Prandaj, veçanërisht në orët e para të mëngjesit, kafeja mund të sjellë një ngritje të shpejtë të humorit.
Por trupi përshtatet me konsumimin e përditshëm. Tek ata që pinë kafe rregullisht, efekti “i mirë” shpesh nuk është më rritje e humorit, por thjesht lehtësim i simptomave të mungesës së kafeinës, si lodhja apo dhimbja e kokës. Pra, filxhani i mëngjesit shpesh na kthen thjesht në gjendjen normale — edhe pse kjo përsëri tё bёn tё ndihesh mё mirë.
Ekspertët theksojnë se përfitimi më i madh i ndjesisё sё rritjes sё humorit vërehet te konsumatorët e rastit, të cilët nuk kanë krijuar tolerancë ndaj kafeinës.
Sa kafe është e mjaftueshme?
Sasia ideale për efekt pozitiv në humor zakonisht është një deri në dy filxhanë në ditë. Më pak mund të mos ketë efekt të ndjeshëm; më shumë mund të shkaktojë ankth, nervozizëm ose probleme me gjumin.
Personat që kanë prirje për ankth, ose që pinë kafe vonë pasdite, mund të përjetojnë përkeqësim të gjendjes emocionale për shkak të çrregullimit të gjumit. Për këtë arsye rekomandohet shmangia e kafeinës 6–12 orë para fjetjes.
Fëmijët nën 12 vjeç nuk duhet të konsumojnë kafe, ndërsa adoleshentët duhet ta kufizojnë. Gjithashtu, personat që marrin medikamente psikiatrike apo stimulues duhet të këshillohen me mjekun.
A duhet të fillojmë të pimë kafe për humor më të mirë?
Ekspertët janë të qartë: jo domosdoshmërisht. Nëse tashmë pini 1–2 filxhanë dhe nuk keni probleme shëndetësore, nuk ka arsye ta ndryshoni rutinën. Por nëse nuk pini kafe, nuk ka arsye të filloni vetëm për përmirësim humori — sepse efekti është i vogël dhe i përkohshëm.
Për pёrmirёsime tё vёrteta në shëndetin mendor, strategjitë më të forta mbeten: gjumi i rregullt, aktiviteti fizik, socializimi dhe lëvizja.
Siç shprehen specialistët: Nëse synon të përmirësosh humorin në mënyrë të qëndrueshme — ushtrimet fizike bëjnë shumë më tepër se kafeja.
(Burimi: The New York Times)






