FBI ka blerë disa BMW X5 të blinduara për përdorim nga drejtori i saj, Kash Patel, duke u larguar nga praktika tradicionale e përdorimit të Chevrolet Suburban, mjeti karakteristik i drejtuesve të byrosë ndër vite.
Automjetet, të tipit BMW X5 Protection, janë pajisur me mbrojtje balistike dhe janë porositur me kërkesë të drejtpërdrejtë të Patel, i cili ka argumentuar se mjetet e reja e bëjnë më pak të dallueshëm gjatë lëvizjeve zyrtare. Vendimi shënon një ndryshim të qartë simbolik dhe praktik në mënyrën se si lëviz drejtuesi i një prej institucioneve më të fuqishme ligjzbatuese në SHBA.
Një thyerje e traditës
Për dekada, Chevrolet Suburban ka qenë sinonim i sigurisë federale amerikane. Kalimi te makinat gjermane përbën një devijim të dukshëm nga kjo linjë, edhe pse BMW të blinduara përdoren prej vitesh nga qeveria amerikane për transportin e diplomatëve dhe zyrtarëve në misione me rrezik të lartë jashtë vendit.
Me sa duket, siguria maksimale sot shoqërohet edhe me komoditet, edhe me luks. Automjetet e reja janë të pajisura me xhama balistikë shumë-shtresorë, përforcime çeliku në strukturën e dyerve, si edhe me rezervuar karburanti vetë-mbyllës, të projektuar për të parandaluar shpërthimet pas goditjeve. Këto janë elemente që zakonisht përdoren për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë në misione me rrezik të shtuar dhe i përkasin të njëjtës kategori sigurie me automjetet diplomatike të nivelit të lartë.
Kursim apo luks?
Vendimi ka ndezur debat të ashpër politik. Kritikët e Patel e shohin blerjen si shembull të privilegjeve personale dhe të largimit nga standardet tradicionale të institucionit. Nga ana tjetër, zyrtarë të FBI-së kanë mbrojtur zgjedhjen, duke argumentuar se BMW-të janë më kosto-efektive sesa alternativat e tjera të blinduara.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, një Chevrolet Suburban i blinduar do të kushtonte rreth 480 mijë dollarë, ndërsa BMW-të janё ndjeshëm më të lira. Kjo llogari, megjithatë, është vënë në dyshim nga ligjvënës demokratë, të cilët pretendojnë se qeveria federale do t’i siguronte Suburbanët me çmime të favorshme përmes kontratave të posaçme.
Një zgjedhje që ngre më shumë pyetje se sa jep përgjigje
Çështja e automjeteve vjen në një moment delikat për drejtuesin e FBI-së, i cili ndodhet nën vёzhgim nga Dhoma e Përfaqësuesve për përdorimin e fondeve publike, përfshirë udhëtimet me avion privat pёr tё takuar tё dashurёn.
Në këtë kontekst, debati nuk është thjesht nëse BMW-të janë më të shtrenjta apo më të lira se Suburbanët, por nëse ky ndryshim përfaqëson një nevojë reale sigurie apo një largim simbolik nga imazhi tradicional i FBI-së.
Disa shqetёsohen se FBI duke ndryshuar makinën simbol, nuk po ndryshon vetëm mjetin, por dhe mënyrёn se si institucioni e sheh veten dhe kryen funksionin.







