Në ditën e 28-të të protestës përballë godinës së Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Adriatik Lapaj dhe mbështetës të “Shqipëria Bëhet” kishin bërë thirrje për një tubim masiv në orën 12:00.
Qytetarë të Tiranës dhe disa rretheve u shfaqën në protestë, pavarësisht se në numër të vogël, në dyfishin e tubimit të thirrur herën e parë, në datë 20 dhjetor.
Në një podium të improvizuar dhe me mikrofonin që kalonte në duar, qytetarë protestues të ndryshëm shprehën revoltën e tyre për Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar largimin e tij.
Gjatë fjalës së tij, Adriatik Lapaj tha se “sot është dita e 28-të e qëndresës qytetare kundër hajdutërisë. Sot bota është më e lirë, sepse një diktator matanë oqeanit ra dhe një autokrat na ka përballë. Kjo është një përballje me hajdutët, ndaj edhe një sikur të qëndrojë është një rrugë e drejtë. Jemi përballë atij që erdhi në pushtet për të na sjellë ujë, jemi përballë atij që erdhi në pushtet për të vendosur rend dhe ligj, a kemi sot rend dhe ligj?”
Për shkak të të ftohtit të këtyre ditëve, Lapaj dhe përkrahësit e tij, që kalojnë natën dhe ditën në bulevard, filluan të montojnë një vendqëndrim të mbuluar portativ me këmbë alumini.

Protestuesit u përplasën për disa minuta me policinë, për shkak të një provokimi të disa civilëve të gjysmëmbuluar me kapuçë që filluan të bënin video dhe foto pranë demonstruesve, duke fiksuar më shumë ata që montonin vendqëndrimin e mbuluar në shesh.
Adriatik Lapaj deklaroi për median se “ka ikur koha e regjimit komunist me fuksat që përndiqnin popullin, bashkë me regjimin e Edi Ramës, që i ka ditët të numëruara”. Pyetjes se çfarë kërkon të arrijë me këtë protestë pothuajse 1-mujore, Lapaj iu përgjigj: “Largimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike 12-mujore, me intelektualë të pavarur, pa politikanë, dhe krijimin e kushteve për realizimin e zgjedhjeve të tjera të lira dhe të ndershme.”
Lapaj deklaroi se s’do të largohej nga sheshi pa arritjen e qëllimit final, atë që e përsërit çdo ditë, “largimin e Edi Ramës”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të “vrasin frikën” dhe t’i bashkohen pa dallime dhe flamuj partiakë sheshit, nën një flamur të vetëm, atë kombëtar kuq e zi.






