Kompania ajrore evropiane Airbus paralajmëroi të premten se mund të ketë ndërprerje dhe vonesa udhëtimesh, pasi ka zbuluar një defekt software-i që prek mijëra avionë të familjes A320 dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga linjat ajrore. Paralajmërimi vjen pas një incidenti të ndodhur në fund të tetorit në një fluturim të JetBlue, kur një mosfunksionim kompjuterik shkaktoi një ulje të papritur të avionit.
Më 30 tetor, një avion Airbus A320 i operuar nga kompania JetBlue pësoi një problem me kontrollin e fluturimit gjatë rrugës nga Cancún (Meksikë) drejt Newark (SHBA). Avioni humbi papritur lartёsi dhe ekuipazhi u detyrua ta devijonte fluturimin dhe të ulej në Tampa, Florida. Sipas mediave amerikane, disa pasagjerë pësuan lëndime të lehta.
Airbus u ka kërkuar kompanive ajrore të marrin “masa të menjëhershme paraprake” pasi ka vlerësuar incidentin dhe ka konfirmuar se problemi mund të prekë një numër të madh avionësh aktualisht në shërbim.
Sipas kompanisë, “rrezatimi intensiv diellor mund të dëmtojë të dhënat kritike për funksionimin e sistemeve të kontrollit të fluturimit”. Përditësimi i software-it do të zgjasë vetëm disa orë për shumicën e avionëve, por për rreth 1.000 prej tyre procesi mund të zgjasë disa javë, raportoi AFP.
Problemi lidhet me sistemin kompjuterik ELAC (Elevator and Aileron Computer), i prodhuar nga kompania franceze Thales, e cila operon në sektorin e hapësirës ajrore dhe mbrojtjes.
“Airbus pranon se këto ndёrhyrje do të shkaktojnë ndërprerje operacionale për pasagjerët dhe klientët dhe kërkon ndjesë për shqetësimin”, thuhet në deklaratë.
A320 është avioni më i shitur në botë që nga fillimi i prodhimit në vitin 1988. Deri në fund të shtatorit, Airbus ka shitur 12.257 njësi, duke ia kaluar edhe Boeing 737, i cili numëron 12.254 avionë të shitur.
(Pёrshtatur nga FRANCE 24 / AFP)






