Një incident i pazakontë ka ndodhur në Aeroportin e Philadelphias, ku një agjent i Shёrbimit Sekret, pjesë e ekipit të sigurisë së Jill Biden, është vetëplagosur aksidentalisht me armën e tij të shërbimit.
Ngjarja ka ndodhur të premten në mëngjes, pak pas orës 08:30, gjatë një angazhimi zyrtar sigurie. Sipas zëdhënësit të agjencisë, Nate Herring, bëhet fjalë për një “shkrepje të pakujdesshme” të armës, që i ka shkaktuar agjentit një dëmtim jo të rrezikshëm për jetën.
Autoritetet sqarojnë se në momentin e incidentit, personi që ishte nën mbrojtje nuk ndodhej pranë dhe nuk pati asnjë ndikim në lëvizjet apo sigurinë e saj. Megjithatë, sipas një burimi të njohur me rastin, Jill Biden ndodhej në aeroport në atë kohë, por larg vendit ku ndodhi ngjarja.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar. Agjenti është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Ndërkohë, Zyra e Përgjegjësisë Profesionale e Shërbimit Sekret ka nisur një hetim për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit, që ngre pikëpyetje mbi protokollet e sigurisë në situata të tilla.
(Burimi: AA)






