Frika nga një sulm i mundshëm rus ka vënë në alarm qeverinë hollandeze. Aeroporti Eindhoven, një nga pikat më të rëndësishme të trafikut ajror civil dhe ushtarak në Hollandë, u detyrua të ndalojë të gjitha fluturimet për rreth dy orë, pasi disa dronë të dyshimtë u konstatuan duke fluturuar mbi hapësirën e tij ajrore.
Incidenti prek si fluturimet civile, ashtu edhe operacionet ushtarake, duke reflektuar natyrën tepër delikate të situatës. Menjëherë pas sinjalizimeve, autoritetet hollandeze aktivizuan sistemi anti-dronë, ndërsa policia dhe Shërbimi Mbretëror i Sigurisë u angazhuan në terren për të identifikuar origjinën e pajisjeve fluturuese.
“Trafiku ajror sapo është rinisur. Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë masa, por për arsye sigurie nuk mund të japim detaje të mëtejshme,” njoftoi ministri i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, pak orё mё pas.
Ai e quajti incidentin “krejtësisht të papranueshëm”, duke paralajmëruar masa të forta kundër fenomeneve të tilla: “Prishja e trafikut ajror nga dronët është e papranueshme. Ekipet kundër dronëve janë në gatishmëri, policia po heton dhe ne do të veprojmë kur të jetë e nevojshme.”
Një seri incidentesh shqetësuese në infrastrukturën ushtarake të Europës
Rasti në Eindhoven vjen vetëm një ditë pasi dronë të tjerë të paidentifikuar u panë duke fluturuar mbi Bazën Ajrore Volkel, një prej strukturave më të rëndësishme të NATO-s, vetëm 24 milje larg aeroportit. Baza strehon njësi të Forcave Ajrore Mbretërore të Holandës dhe një skuadrilje të Forcave Ajrore Amerikane — një pikë strategjike me ndjeshmëri të lartë.
Ngjarja po ushqen gjithnjë e më shumë shqetësimet rreth të ashtuquajturave operacione të “luftës hibride”, ku incidente të vogla mund të kenë objektiv strategjik: testimin e mbrojtjeve ushtarake perëndimore dhe krijimin e pasigurisë.
Në shumë vende të Bashkimit Europian janë shënuar rritje tё sulmeve me dronë, sabotimeve dhe operacioneve të fshehta — dhe gishtat drejtohen vazhdimisht drejt Rusisë, e cila dyshohet për taktika të destabilizimit përmes presionit psikologjik dhe teknik.
(Burimi: Daily Mail)






