Policia Metropolitane e Londrës (MET) ka nisur një ofensivë të re kundër vjedhjeve të telefonave inteligjentë, duke përdorur dronë dhe biçikleta elektrike për të kapur hajdutët – shumë prej të cilëve janë adoleshentë të rekrutuar nga banda kriminale përpara se të shkojnë në shkollë.
Sipas autoriteteve, grupet kriminale po përdorin rrjetin social Snapchat për të joshur të miturit me pagesa që arrijnë deri në 380 paund për modelet më të fundit të iPhone. Fëmijë deri në 15 vjeç po përfshihen në këto vjedhje, shpesh duke lëvizur me biçikleta për të grabitur kalimtarët në orët e para të mëngjesit.
Londra mbetet zona më e goditur nga ky fenomen në Britani, ndërsa policia është kritikuar më parë për reagimin e saj. Megjithatë, MET bëri të ditur se vjedhjet ranë me 12% gjatë vitit të kaluar, në rreth 71 mijë raste.
Bandat publikojnë në Snapchat një lloj “menuje” pagesash për telefonat e vjedhur. Një fletushkë e zbuluar nga policia ofronte 380 paund për një iPhone 16 Max, 220 paund për një iPhone 15 dhe vetëm 20 paund për një iPhone 12. Bonus prej 100 paundësh jepet edhe kur dorëzohen 10 ose më shumë telefona njëherësh.
Pasi kryejnë grabitjen, të miturit kontaktojnë një person të quajtur “trajtues” përmes Snapchat për të organizuar dorëzimin e pajisjeve. Sipas hetuesve, telefonat Apple janë më të kërkuar sepse besohet se janë më të lehtë për t’u riaktivizuar dhe më pas dërgohen drejt tregjeve në Gjirin Persik dhe Kinë. Telefonat Samsung, në krahasim, vlejnë më pak pasi janë më të vështirë për t’u përdorur jashtë vendit.
Komisioneri i Policisë Metropolitane, Mark Rowley, kërkoi që kompanitë e teknologjisë – veçanërisht Apple – të bëjnë më shumë për t’i bërë pajisjet e vjedhura të papërdorshme. “Vetëm policia nuk mund ta zgjidhë këtë problem. Prodhuesit duhet të ndalojnë kriminelët që të rivendosin, ripërdorin apo rishesin telefonat e vjedhur,” tha ai.
Rowley kritikoi edhe sistemin gjyqësor, duke theksuar se disa të rinj të arrestuar për vjedhje u liruan me kusht dhe brenda 24 orëve dyshohej se kishin grabitur sërish telefona.
Në përgjigje, policia po shton përdorimin e teknologjisë. Dronët do të ndihmojnë në gjurmimin e të dyshuarve dhe identifikimin e shkelësve të njohur, ndërsa biçikletat elektrike Surron – të drejtuara nga oficerë të trajnuar – pritet të rrisin shanset për të kapur hajdutët që lëvizin po ashtu me biçikleta. Teknologjia e njohjes së fytyrës ka ndihmuar tashmë në disa arrestime dhe do të vazhdojë të përdoret.
Fokusi kryesor mbetet zona e West End-it, një nga pikat më të frekuentuara turistike të Londrës, ku vizitorët shpesh shihen si objektiva të lehtë.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, njoftoi një investim shtesë prej 4.5 milionë paundësh për krijimin e një qendre të re komanduese policore. “Shumë londinezë kanë rënë viktimë e vjedhjes së telefonave dhe unë jam i vendosur ta zhduk këtë fenomen,” tha ai, duke theksuar se qëllimi është goditja e drejtuesve të bandave, jo vetëm e grabitësve në terren.
Autoritetet paralajmërojnë se vjedhja e telefonit nuk është vetëm një humbje materiale, por edhe një goditje personale, pasi pajisjet përmbajnë foto, kontakte, mesazhe dhe të dhëna private – duke e bërë këtë krim gjithnjë e më shqetësues për banorët e kryeqytetit britanik.
(Burimi: The Guardian)






