Një studim i ri ka zbuluar një rritje të ndjeshme të rasteve të raportuara të sulmeve seksuale në fluturimet në Shtetet e Bashkuara, ndërsa studiuesit dhe aktivistët paralajmërojnë se shifrat zyrtare mund të përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të asaj që ndodh realisht.
Gjatë vitit 2024, FBI-ja hetoi mbi 170 raste të pasagjerëve që ngacmonin të tjerë në bord, një rritje krahasuar me rreth 130 raste një vit më parë, sipas një investigimi të CBS News. Edhe pse ky numër mbetet i vogël në raport me miliona udhëtarë që fluturojnë çdo vit, ekspertët shprehen të shqetësuar se shumë incidente nuk raportohen kurrë.
Shumë raste nuk arrijnë te autoritetet federale pasi trajtohen nga policia lokale e aeroporteve dhe nuk regjistrohen zyrtarisht nga FBI-ja, duke krijuar boshllëqe serioze në të dhëna.
Një prej viktimave është Renee Solofra, e cila tregoi për CBS News se u sulmua gjatë një fluturimi nga Çikago drejt Floridës në shtator 2023. Sipas saj, pasagjeri pranë ishte i dehur dhe e preku vazhdimisht pa pëlqimin e saj. Ajo rrëfeu se iu kap qafa dhe dora, madje iu mor telefoni nga duart, ndërsa pak para uljes ndodhi edhe incidenti më i rëndë.
Ngjarja u raportua sapo avioni u ul dhe Solofra ngriti padi ndaj Daniel McAdams, i cili më vonë pranoi fajësinë për sulm fizik.
“Ndikoi në punën time dhe në jetën time. U tremba nga udhëtimet,” tha ajo, duke shtuar se iu desh të ndiqte këshillim psikologjik pas përvojës që “ia përmbysi botën”.
Investigimi zbuloi se shumë nga këto sulme ndodhin në fluturime të gjata ose ndërkombëtare, shpesh gjatë natës dhe në raste kur konsumohet alkool.
Sara Nelson, presidente ndërkombëtare e Shoqatës së Stjuardesave, theksoi se ekuipazhi është zakonisht pika e parë e kontaktit për raportimin e incidenteve, të cilat më pas i kalohen autoriteteve në aeroportin e destinacionit. Por ajo paralajmëroi se nëse dikush në këtë zinxhir e minimizon ngjarjen si “diçka të vogël”, atëherë mungon reagimi i nevojshëm për të vendosur përgjegjësi.
Pas përvojës së saj, Solofra po u bën thirrje viktimave të tjera të flasin dhe të raportojnë rastet. Ajo ka ngritur gjithashtu një padi kundër American Airlines, duke kërkuar më shumë llogaridhënie. “Heshtja mbron vetëm agresorin. Duhet reformë dhe nuk do të ndalemi derisa ajo të ndodhë,” u shpreh ajo.
Në reagimin ndaj padisë, një zëdhënës i American Airlines deklaroi se siguria e pasagjerëve dhe stafit mbetet prioritet, por kompania nuk mund të komentojë çështje që janë ende në proces gjyqësor.
Avokatja Daisy Ayllón, e cila përfaqëson rreth një duzinë gra që pretendojnë se janë sulmuar seksualisht në avionë, theksoi se mosraportimi është pjesë e vetë sistemit. Sipas saj, aktualisht nuk ekziston një mekanizëm që detyron linjat ajrore të raportojnë shifrat, çka bën që statistikat e FBI-së të përfshijnë vetëm viktimat që zgjedhin të dalin publikisht.
“Ka shumë boshllëqe në informacion. Linjat ajrore marrin ankesa dhe komunikojnë drejtpërdrejt me pasagjerët, por këto të dhëna nuk raportohen gjithmonë,” tha ajo, duke lënë të kuptohet se përmasat reale të fenomenit mund të jenë dukshëm më të mëdha.
(Burimi: The Independent)






