Një fluturim i Turkish Airlines u detyrua të kryejë ulje emergjente në aeroportin El Prat të Barcelonës, pasi një pasagjer krijoi gjatë fluturimit një rrjet interneti “hotspot”, emri i të cilit përmbante një kërcënim për bombë. Ngjarja shkaktoi alarm të menjëhershëm sigurie dhe aktivizoi protokollet e emergjencës ajrore.
Sipas zëdhënësit të kompanisë, Yahya Üstün, incidenti ndodhi ndërsa fluturimi TK1853 nga Stambolli po i afrohej destinacionit në Barcelonë. Sistemet e sigurisë zbuluan se një pasagjer kishte hapur një pikë aksesi interneti në bord dhe kishte vendosur si emër të rrjetit një mesazh me përmbajtje kërcënuese, që përfshinte referencë për bombë.
Si masë paraprake, avioni Airbus A321, me 148 pasagjerë dhe shtatë anëtarë ekuipazhi, u shoqërua nga dy avionë luftarakë — një spanjoll dhe një francez — deri në momentin e uljes emergjente në Barcelonë rreth orës 11:00 të paradites.
Pas uljes, avioni u drejtua në një zonë të izoluar për kontroll të plotë sigurie. Në operacion u përfshinë policia lokale, Policia Kombëtare spanjolle, policia rajonale katalanase dhe shërbimet zjarrfikëse.
Autoritetet e Ministrisë së Brendshme spanjolle konfirmuan më vonë se nuk u gjet asnjë material shpërthyes në bord, megjithatë hetimi mbi incidentin mbetet i hapur për të përcaktuar përgjegjësinë e pasagjerit që shkaktoi alarmin.
Policia njoftoi se, pavarësisht incidentit, operacionet në aeroportin e Barcelonës vazhduan normalisht dhe nuk pati ndërprerje të trafikut ajror.
Ndodh edhe kështu – veprime të papërgjegjshme individuale mund të shkaktojnë aktivizimin e protokolleve të mëdha të sigurisë dhe alarm ndërkombëtar në transportin ajror.






