Një alpinist austriak është shpallur fajtor për vrasje të rëndë nga pakujdesia, pasi e dashura e tij humbi jetën nga hipotermia gjatë një ngjitjeje dimërore në malin Grossglockner, maja më e lartë e Austrisë. Burri, i identifikuar si Thomas P., është dënuar me pesë muaj burgim me kusht dhe është gjobitur me 9,600 euro.
Kerstin G. ndërroi jetë në janar 2025, pasi çifti mbeti i bllokuar në kushte ekstreme moti. Sipas gjykatës, Thomas P., si alpinisti më me përvojë, mbante përgjegjësi për sigurinë e turit. Gjykatësi Norbert Hofer, vetë alpinist me përvojë dhe bashkëpunëtor i ekipeve të shpëtimit në Tirol, theksoi se i pandehuri ishte “një alpinist i shkëlqyer”, por se partnerja e tij ishte shumë më pak e përgatitur për ngjitje dimërore. Sipas tij, çifti duhej të ishte kthyer mbrapsht përpara se situata të përkeqësohej.
Gjykata mori në konsideratë si faktorë lehtësues të kaluarën e pastër të Thomas P., humbjen e partneres dhe presionin publik në rrjetet sociale, që sipas saj ishte inkriminues ndaj tij. Vendimi është apeluar.
Prokuroria argumentoi se kushtet në mal ishin jashtëzakonisht të rrezikshme: temperatura -8°C me ndjesi deri në -20°C dhe erëra që arrinin 74 km/orë. Sipas saj, Thomas P. nuk u kthye në kohë dhe nuk dërgoi sinjal emergjence, pavarësisht se një helikopter policie fluturoi mbi zonë rreth orës 22:30. Pamjet treguan çiftin ende në ngjitje.
Ekipet e shpëtimit gjetën trupin e Kerstin të varur përmbys në një shkëmb. Një nga shpëtimtarët dëshmoi se ajo kishte kokën të anuar prapa, sytë e hapur, nuk kishte doreza dhe çizmet i kishte të hapura. “U habitëm që qëndroi në atë pozicion. Nëse era do të kishte qenë më e fortë, do të kishte rënë nga ana jugore”, tha ai në gjykatë.
Prokurorët theksuan se Thomas P. e la partneren e tij rreth orës 02:00 të mëngjesit për të kërkuar ndihmë, pasi kishte telefonuar policinë malore në orën 00:35. Ata pretendojnë se telefonata nuk u trajtua si emergjencë. Mbrojtja kundërshtoi këtë version, duke thënë se çifti fillimisht ndiheshin mirë dhe ishin afër majës, por situata ndryshoi papritur kur Kerstin u lodh. Sipas avokatit, ajo i kërkoi partnerit të zbriste për të kërkuar ndihmë.
Gjykata dëgjoi edhe dëshminë e një ish-partnereje të Thomas P., e cila rrëfeu se në një ngjitje të mëparshme në vitin 2023 ai e kishte lënë vetëm në mal, në gjendje të rënduar fizike.
Thomas P. deklaroi se ishte i pafajshëm dhe se e kishte dashur Kerstin, duke theksuar se ajo ishte sportive dhe se e kishin planifikuar së bashku ngjitjen. Mbrojtja argumentoi se ajo ishte e vetëdijshme për rreziqet dhe nuk ishte e papërvojë.
Rasti ka nxitur debat të gjerë në Austri dhe në komunitetin ndërkombëtar të alpinizmit, duke ngritur pyetjen se kur gjykimi personal dhe marrja e rrezikut në mal kalojnë kufirin dhe bëhen përgjegjësi penale.

(Burimi: BBC)






