Në vitin 1998, ndërsa Bill Clinton përballej me procedurat e shkarkimit, filmi Titanic dominonte çmimet Oscar dhe telefonat fiks ishin ende pjesë e çdo shtëpie, Gallup dhe USA Today u drejtuan te 1,055 amerikanë për t’u bërë një pyetje të pazakontë: si e imagjinonin ata vitin 2025?
Sot, me vitin 2025 drejt fundit, arkivat e sondazheve të ruajtura nga Roper Center në Universitetin Cornell ofrojnë një pamje interesante mbi atë se sa largpamës – apo sa optimistë – ishin amerikanët e fundviteve ’90.
Parashikime që dolën befas saktë
Disa nga pritshmëritë e vitit 1998 rezultuan mjaft të sakta. Shumica e të anketuarve besonin se SHBA do të zgjidhte një president me ngjyrë, se martesat mes personave të të njëjtit seks do të legalizoheshin dhe do të bëheshin të zakonshme, si dhe se në botë do të shfaqej një “sëmundje e re vdekjeprurëse”.
Po ashtu, amerikanët e asaj kohe nuk besonin se udhëtimet në hapësirë do të bëheshin të zakonshme për qytetarët e thjeshtë, apo se njerëzimi do të kishte kontakt me forma jete jashtëtokësore – dy parashikime që, deri tani, kanë rezultuar të sakta.
Optimizëm që nuk u realizua
Jo gjithçka shkoi sipas pritshmërive. Rreth dy të tretat e amerikanëve në vitin 1998 mendonin se deri në 2025-ёn vendi do të kishte zgjedhur një presidente grua – diçka që ende nuk ka ndodhur. Më shumë se gjysma prisnin një kurë për kancerin dhe 61% besonin se njerëzit do të jetonin zakonisht deri në 100 vjeç. Realiteti i sotëm tregon se këto synime janë ende larg.
Një shoqëri më pesimiste për të ardhmen
Sondazhi zbulonte edhe shqetësime të thella për drejtimin e shoqërisë amerikane. Rreth 70% besonin se cilësia e jetës do të përmirësohej për të pasurit, por mendimet ishin të ndara për klasën e mesme, ndërsa shumica prisnin përkeqësim për të varfrit.
Gati 8 në 10 amerikanë mendonin se njerëzit e së ardhmes do të kishin më pak privatësi personale, ndërsa 57% parashikonin më pak liri personale. Shumica prisnin rritje të krimit, përkeqësim të mjedisit dhe rënie të vlerave morale. Një shumicë e madhe – 71% – besonte se do të bëhej më e vështirë të rriteshin fëmijë “të mirë”.
Disa nota shprese
Megjithatë, nuk mungonin edhe parashikime pozitive. Shumica e amerikanëve mendonin se marrëdhëniet racore do të përmirësoheshin dhe se kujdesi shëndetësor do të bëhej më i aksesueshëm – edhe pse më pak i përballueshëm financiarisht.
Nga kënaqësia te zhgënjimi
Gallup vazhdon të masë humorin e publikut amerikan edhe sot. Në vjeshtën e vitit 1998, rreth 60% e amerikanëve shpreheshin të kënaqur me drejtimin që po merrte vendi. Sot, kjo shifër ka rënë në vetëm 24%.
Një tregues i qartë se, pavarësisht disa parashikimeve të sakta, ndjenja e përgjithshme për të ardhmen ka ndryshuar ndjeshëm – nga optimizmi i fundviteve ’90 drejt një klime shumë më skeptike në prag të vitit 2026.
(Burimi: Pёrshtatur nё shqip nga CNN)






