Një histori personale e publikuar në rubrikën e këshillimit “Dear Deidre” në The Sun ka nxitur debat në Britani, duke hedhur dritë mbi pasojat emocionale që mund të sjellë një ndarje e dhimbshme dhe vendimet e marra në momente dobësie.
Gruaja, 31 vjeçe, rrëfen se ishte në një lidhje të gjatë dhe serioze, të cilën e shihte si të ardhmen e saj. Marrëdhënia u prish papritur pas një konflikti me nënën e partnerit, i cili zgjodhi të mbajë anën e saj dhe i dha fund lidhjes. E lënduar dhe e zhgënjyer, ajo thotë se filloi të kërkonte ngushëllim në vëmendjen e të tjerëve.
Duke punuar në një ambient kryesisht mashkullor, në një kompani transporti, ajo u gjend shpesh në qendër të vëmendjes. Fillimisht doli për pije me shefin e saj, më pas me një koleg tjetër, marrëdhënie që ajo i përshkruan si të rastësishme dhe pa pritshmëri emocionale. Situata kulmoi gjatë një feste me kolegët, ku pasi u dehёn nё pub, përfundoi duke kryer një marrëdhënie treshe me një koleg dhe një mik të tij – një vendim që sot e përshkruan si momentin më të ulët të jetёs sё saj.
Pak javë më vonë, ajo zbuloi se ishte shtatzënë. Testi rezultoi pozitiv dhe bashkë me lajmin erdhën ndjenja të forta turpi, frike dhe pasigurie. Ajo pranon se nuk e di kush është babai i fëmijës dhe se nuk ndjen gatishmëri për të përballuar një shtatzëni në këto rrethana.
Në përgjigjen e saj, psikologu thekson se gruaja ka vepruar nën ndikimin e dhimbjes emocionale dhe nevojës për ngushëllim, jo nga mungesa e vlerave. Ajo nënvizon se këto kanë qenë marrëdhënie kalimtare dhe se nuk ka garanci që ndonjë prej burrave të përfshirë do të ishte i gatshëm të merrte përgjegjësinë e atësisë.
Nё ҫdo rast, vendimi për të vazhduar ose jo shtatzëninë i takon vetëm asaj. Këshilla është që ajo të kërkojë mbështetje profesionale dhe informacion të paanshëm për të marrë një vendim të informuar, pa presion dhe pa vetëfajësim.
Historia shërben si një paralajmërim i fortë për mënyrën se si dhimbja emocionale, alkooli dhe vendimet impulsive mund të çojnë në pasoja të mëdha jetësore – dhe për nevojën që, në momente krize, ndihma të kërkohet te mbështetja e duhur, jo te arratisja e përkohshme.
(Burimi: THE SUN)






