Rikthimi i radhës i Tyson Fury në ring nuk ka sjellë vetëm pritshmëri sportive, por edhe një përplasje të fortë brenda familjes, me babain e tij, John Fury, që ka dalë hapur kundër vendimit të kampionit britanik për t’u rikthyer në boks.
“The Gypsy King” pritet të dalë sërish në ring më 11 prill, ku do të përballet me rusin Arslanbek Makhmudov në Londër, duke i dhënë fund pensionimit të tij të pestë. Ky rikthim vjen pas dy humbjeve radhazi ndaj Oleksandr Usyk në vitin 2024, që ngritën pikëpyetje të forta mbi të ardhmen e tij në sport.
Por ndërsa fansat presin me interes këtë duel, babai i tij ka reaguar ashpër, duke deklaruar se marrëdhënia mes tyre është “shkatërruar” për shkak të vendimit të Tyson për të mos dëgjuar këshillat e familjes.
“Lidhja ime me Tyson është e shkatërruar. Boksi e ka shkatërruar plotësisht,” u shpreh John Fury, duke theksuar se kishte kërkuar që djali i tij të qëndronte larg ringut për shkak të rrezikut për shëndetin.

Ai shtoi se nuk ka përfituar kurrë financiarisht nga karriera e të birit dhe se nuk ka interes për paratë e tij, por për sigurinë dhe jetën e tij. “Nuk dua asgjë nga Tyson. Por mos harroni kush e ndërtoi historinë e tij kur ishte fëmijë,” tha ai, duke theksuar rolin e tij në ngritjen e karrierës së kampionit.
John Fury shprehet i bindur se djali i tij nuk është më në kulmin e formës dhe se trilogjia brutale me Deontay Wilder ka lënë pasoja të rënda fizike. Sipas tij, Fury “nuk është më i njëjti boksier” dhe rikthimi në ring përbën një rrezik serioz.
“Tyson ka mbaruar që nga ndeshjet me Wilder. Ai mori shumë prej tij. Nuk i ka më këmbët,” deklaroi ai, duke shtuar se kundërshtari i ardhshëm, Makhmudov, përbën një sfidë të rrezikshme.
Ai shkon edhe më tej, duke ngritur shqetësime për ekipin që rrethon Fury, të cilin e akuzon se nuk po i thotë të vërtetën dhe nuk do ta ndalojë nëse situata në ring bëhet e rrezikshme. “Nëse futet në telashe, mund të përfundojë i vdekur ose me dëmtime të përhershme në tru. Është një sport i rrezikshëm dhe një goditje mund të ndryshojë gjithçka,” paralajmëroi ai.
Pavarësisht kritikave dhe tensioneve familjare, Tyson Fury duket i vendosur për t’u rikthyer edhe një herë në ring, në një moment që për shumëkënd përfaqëson jo vetëm një sfidë sportive, por edhe një provë të fundit për një kampion që refuzon të largohet nga skena.

(Burimi: The Sun)






