Një anije turistike australiane është përplasur me një shkëmb në brigjet e Papua Guinesë së Re, vetëm pak javë pasi ishte rikthyer në lundrim pas një incidenti tragjik ku një pasagjere e moshuar humbi jetën.
Anija Coral Adventurer pësoi atë që kompania e përshkroi si një “incident në tokë” të shtunën, rreth 30 kilometra nga qyteti bregdetar Lae, në lindje të Papua Guinesë së Re. Sipas njoftimit zyrtar, në bord ndodheshin 80 pasagjerë dhe 43 anëtarë ekuipazhi, dhe të gjithë janë raportuar të sigurt.
Inspektimet fillestare nuk kanë evidentuar dëmtime në trupin e anijes, ndërsa kontrolle më të detajuara teknike pritet të zhvillohen gjatë ditës së diel. Deri tani, nuk është marrë asnjë vendim për ndërprerjen e udhëtimit 12-ditor, i cili parashikohej të përfundonte më 30 dhjetor.
Autoriteti Australian i Sigurisë Detare (AMSA) konfirmoi për BBC-në se nuk ka marrë një thirrje emergjente nga anija, por se po e monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të mbështesë autoritetet e Papua Guinesë së Re nëse do të jetë e nevojshme.
Incidenti ndodh në një moment delikat për Coral Adventurer, e cila është ende nën hetim për vdekjen e Suzanne Rees, një pasagjere 80-vjeçare që humbi jetën në fund të tetorit. Znj. Rees u gjet e vdekur në Lizard Island, në Australi, pasi kishte mbetur pas gjatë një ecjeje në ishull me pasagjerë të tjerë. Anija ishte larguar pa të dhe ishte kthyer vetëm disa orë më vonë, pasi ekuipazhi kuptoi se ajo mungonte. Trupi i saj u gjet pas një operacioni të gjerë kërkimi të zhvilluar të nesërmen.
Në atë kohë, Coral Adventurer kishte vetëm dy ditë që kishte nisur një udhëtim 60-ditor, i cili u anulua menjëherë pas ngjarjes. Të gjithë pasagjerëve iu ofruan rimbursime të plota.
Hetimi për vdekjen e Suzanne Rees po zhvillohet nga Autoriteti Australian i Sigurisë Detare dhe Policia e Queensland-it. Drejtori ekzekutiv i Coral Expeditions, ka deklaruar më herët se kompania ishte “thellësisht e keqardhur” për ngjarjen dhe se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet për zbardhjen e rrethanave.
(Burimi: BBC)






