Anthony Hopkins ka reaguar ndaj thashethemeve për një përçarje mes tij dhe aktores Jodie Foster gjatë xhirimeve të filmit të famshëm “Silence of the Lambs” në vitin 1991. Aktori 87-vjeçar mohoi kategorikisht çdo konflikt, duke i cilësuar spekulimet si të pavërteta.
“E takova Jodie-n dhe ajo ishte shumë e sjellshme,” kujtoi ai gjatë një interviste në podkastin “Armchair Expert”. “Ka citate që Jodie nuk m’i ka thënë kurrë. Nuk është e vërtetë. Ishim miqësorë. Nuk ka asgjë të frikshme. Janë gjëra të kota publike.”
Në librin e tij më të ri, “We Did OK, Kid: A Memoir”, Hopkins shkruan se ai dhe Foster, sot 62 vjeç, qëndruan kryesisht të distancuar gjatë xhirimeve, për shkak të natyrës së personazheve. Hopkins interpretonte Hannibal Lecter-in, një vrasës kanibal, ndërsa Foster luante agjenten e re të FBI-së, Clarice Starling, e cila përpiqej të merrte informacion për një tjetër vrasës serial — dhe duhej, sipas skenarit, të ndiente frikë ndaj Lecter-it.
Hopkins tregoi se Foster ishte e impresionuar nga interpretimi i tij që në leximin e parë të skenarit. “E bëmë leximin e parë rreth një tavoline në Nju Jork. E përfunduam skenarin dhe Kenny Utt, një nga producentët, tha: ‘Moisiu i Shenjtë, Tony, çfarë është kjo?’ Dhe Jodie tha: ‘Je i frikshëm’.” Aktori kujtoi momentin e tensionuar në kujtimet e tij.
“Ne thjesht u futëm menjëherë në lojë,” shkroi ai. “Doja të tregoja çfarë mund të bëja, ndaj isha sa më i frikshëm që mundesha. Mund të dëgjoje edhe një gjilpërë që binte. Pashë Jodie-n të tensionohej ndërsa po flisja si Lecter.”
Filmi u shndërrua në një sukses monumental, duke fituar pesë çmime Oscar në vitin 1992, përfshirë “Aktorin më të Mirë” për Hopkins dhe “Aktoren më të Mirë” për Foster, si dhe çmimet për “Filmin më të Mirë”, “Regjisorin më të Mirë” dhe “Skenarin më të Mirë të Përshtatur”.
Aktori kujtoi gjithashtu një moment të veçantë mes tyre në ditën e fundit të xhirimeve. “Gjatë një dreke, Jodie la sanduiçin dhe tha se duhej të rrëfente diçka: kishte pasur frikë nga unë,” tregoi ai. “Patëm një përqafim të fortë dhe të dy pranuam se ndienim një distancë të çuditshme gjatë xhirimeve, për shkak të fuqisë së skenarit që na vuri në një lojë mace-miu. Që atëherë, gjithmonë e kemi përshëndetur njëri-tjetrin me shumë ngrohtësi.”
Intervista e Hopkins erdhi pak pasi ai kundërshtoi pretendimet e bashkëshortes së tij, Stella Arroyave, se ai mund të ketë autizëm. Aktori zbuloi se kishte vizituar për një periudhë të shkurtër një terapist, por nuk vazhdoi më tej.
“Ai vazhdonte të thoshte, ‘Le të kthehemi pas’. Dhe unë thosha, ‘Nuk dua ta bëj këtë. Sa e mërzitshme’,” kujtoi ai, duke shtuar se ndërpreu terapinë pasi mësoi se terapisti ishte martuar tri herë.
(Burimi: New York Post)






