Ari po përjeton një vit historik, duke shënuar performancën më të fortë që nga viti 1979, periudhë kur president i Shteteve të Bashkuara ishte Jimmy Carter. Gjatë këtij viti, kontratat e arit në bursën e Nju Jorkut janë rritur me rreth 71 për qind, një nivel që nuk është parë prej gati gjysmë shekulli. Në fund të viteve ’70, bota përballej me krizё energjetike, inflacion të lartë dhe trazira gjeopolitike në Lindjen e Mesme, elementë që sot po shfaqen sërish në forma të ndryshme.
Në realitetin aktual, ekonomia globale po përballet me një kombinim pasigurish që po nxisin investitorët të kërkojnë strehë të sigurt. Tarifat tregtare po deformojnë tregtinë ndërkombëtare, lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon të ndikojë tregjet, tensionet mes Izraelit dhe Iranit po shtohen, ndërsa ndërhyrjet në tregtinë e naftës po krijojnë frikë për furnizimet energjetike. Në një ambient të tillë, ari mbetet një nga asetet më të besuara, pasi shihet si një ruajtës i vlerës në kohë krize, inflacioni apo dobësimi të monedhave.
Sipas Joe Cavatoni, strateg i lartë i tregut në World Gold Council, pasiguria është kthyer në tipar përcaktues të ekonomisë botërore dhe pikërisht për këtë arsye ari po shihet gjithnjë e më shumë si një instrument stabiliteti dhe diversifikimi për investitorët. Në fillim të vitit, çmimi i arit ishte rreth 2,640 dollarë për ons, ndërsa së fundmi ka kaluar nivelin rekord prej mbi 4,500 dollarësh për ons. Analistët e JPMorgan Chase presin që kjo rritje të mos ndalet, duke parashikuar se çmimi i arit mund të kapërcejë 5,000 dollarë për ons gjatë vitit 2026.
Krahasuar me tregjet e aksioneve, performanca e arit ka qenë dukshëm më e fortë. Indeksi S&P 500 është rritur me rreth 18 për qind këtë vit, shumë më pak se fitimi i shënuar nga ari. Kjo diferencë e madhe tregon se investitorët po largohen nga asetet më të rrezikshme dhe po orientohen drejt metaleve të çmuara.
Një faktor kyç në rritjen e çmimit të arit janë edhe bankat qendrore, të cilat po blejnë sasi rekord të metalit të çmuar. Në krye të këtij trendi qëndron Kina, e cila po rrit rezervat e arit për të ulur varësinë nga dollari amerikan dhe obligacionet e SHBA-ve. Ky ndryshim strategjik u bë më i dukshëm pas vitit 2022, kur asetet ruse të denominuara në dollarë u ngrinë nga vendet perëndimore, duke nxitur shtete të tjera të kërkojnë mbrojtje nga vendimet politike ndërkombëtare. Sipas të dhënave të World Gold Council, bankat qendrore në mbarë botën kanë blerë mbi 1,000 ton ar në secilin nga tre vitet e fundit, një nivel shumë më i lartë krahasuar me mesataren e dekadës së mëparshme.
Rritja e arit ka sjellë pas vetes edhe një hov të fortë të metaleve të tjera të çmuara. Argjendi, platini dhe paladiumi kanë shënuar rritje të jashtëzakonshme gjatë këtij viti, duke u kthyer në alternativa të tjera mbrojtëse për investitorët në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme ekonomikisht dhe politikisht.
Për shqiptarët, ky zhvillim ka disa kuptime praktike. Nga njëra anë, rritet vlera e bizhuterive dhe kursimeve në ar, ndërsa nga ana tjetër, çmimet e larta sinjalizojnë pasiguri të vazhdueshme globale që mund të ndikojë edhe ekonominë vendase. Për individët dhe bizneset, ari po shihet gjithnjë e më shumë si një mjet për të mbrojtur pasurinë nga inflacioni dhe luhatjet e tregjeve financiare.
Me bankat qendrore që vazhdojnë të blejnë ar dhe investitorët privatë që kërkojnë stabilitet, ekspertët vlerësojnë se ky metal i çmuar do të mbetet në qendër të vëmendjes edhe gjatë vitit 2026.
(Burimi: CNN)






