Ish-shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është ndaluar nga policia belge ditёn e sotme si pjesë e një hetimi të gjerë të Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO) mbi dyshimet për mashtrim me fonde të BE-së, korrupsion, shkelje të rregullave të prokurimit publik dhe konflikt interesi, lidhur me financimin e programit “European Union Diplomatic Academy”, një trajnim nëntëmujor për diplomatët e rinj.
Operacioni përfshiu kontrollin e selisë së Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) në Bruksel, të Kolegjit të Evropës në Bruges dhe disa banesave private, ku u sekuestruan dokumente dhe materiale që lidhen me procedurat e tenderit të zhvilluar gjatë viteve 2021–2022. Hetimi synon të sqarojë nëse informacion konfidencial mbi kriteret e tenderit i është dhënë paraprakisht Kolegjit të Evropës, duke komprometuar parimin e konkurrencës së ndershme dhe duke favorizuar fituesin e kontratës.
Sipas mediave belge Le Soir dhe L’Echo, së bashku me Mogherinin është ndaluar edhe Stefano Sannino, ish-sekretar i përgjithshëm i EEAS në periudhën kur u zhvillua procesi i krijimit të Akademisë Diplomatike dhe aktualisht drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Komisionit Evropian për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin (DG MENA). Personi i tretë i ndaluar raportohet të jetë një drejtues në Kolegjin e Evropës, i përfshirë në menaxhimin e programeve të trajnimit. Operacioni është kryer pasi institucionet përkatëse kanë pranuar kërkesën e EPPO-s për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, çka sugjeron se hetimi prek nivele shumë të larta të administratës evropiane. EPPO bëri të ditur se ekzistojnë “dyshime të forta” se rregullat e BE-së për tenderët publikë janë shkelur qëllimisht, duke përfshirë ndarjen e të dhënave të brendshme dhe të mbrojtura ligjërisht gjatë procesit të përzgjedhjes, ndërsa theksoi se hetimet vazhdojnë për të vlerësuar nëse përbëjnë vepra penale.
Komisioni Evropian konfirmoi praninë e policisë në ndërtesat e EEAS dhe deklaroi se çështja lidhet me aktivitete të zhvilluara gjatë mandatit të mëparshëm, por refuzoi të japë detaje, duke theksuar se nuk komenton hetime gjyqësore në zhvillim.
Edhe Kolegji i Evropës pranoi se kontrollet janë kryer, por nuk konfirmoi nëse Mogherini ndodhet ndër të ndaluarit.
Ndërkohë që institucionet evropiane kanë ruajtur një profil të ulët, ngjarja ka marrë vëmendje të madhe politike dhe mediatike, jo vetëm për shkak të emrave të përfshirë, por edhe për impaktin e mundshëm te besueshmëria e mekanizmave të financimit publik të BE-së.
Reagime kanë ardhur edhe nga Moska, ku zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka shfrytëzuar rastin për të akuzuar BE-në se “mbyll sytë ndaj korrupsionit të vet, ndërsa mban leksione për të tjerët”, ndërsa BE mbetet e rezervuar ndaj ngarkesës politike të komenteve të tilla.
Federica Mogherini, mikja e ngushtё edhe e Kryeministrit Rama, që ka drejtuar EEAS-in në vitet 2014–2019 dhe është rektore e Kolegjit të Evropës që nga viti 2020, është një prej figurave më të njohura në diplomacinë evropiane, ndërsa Sannino ka mbajtur prej vitesh role kyçe në shërbimet e jashtme dhe në Komision.
Skandali i tanishëm prek një nga institucionet më prestigjioze të formimit të elitës evropiane, çka e bën rastin veçanërisht delikat për reputacionin e Bashkimit Evropian.
Mbetet ende e paqartë se deri ku mund të zgjerohet hetimi dhe cilat drejtime mund të marrë, teksa EPPO dhe autoritetet belge po analizojnë dokumentacionin e sekuestruar dhe po vijojnё marrjen nё pyetje tё zyrtarёve tё BE-sё qё kanё informacion. Nëse procedurat e prokurimit dhe rrjetet e bashkëpunimit institucional rezultojnë të kenë pasur ndërveprime përtej Belgjikës, nuk përjashtohet mundёsia që hetimet të prekin edhe vendet ku Kolegji i Evropës ka zhvilluar projekte apo ka zgjeruar kapacitetet e tij akademike në vitet e fundit, përfshirë edhe Shqipërinë, ku Mogherini ka qenë promotore e hapjes së filialit dhe kampusit të institucionit në Tiranë. Për momentin, nuk ka asnjë fakt zyrtar që lidh vendin me hetimin dhe çdo aludim mbetet në nivel hipoteze, por zhvillimi i çështjes do të ndiqet me vëmendje, ndërsa pritet të kuptohet nëse kjo dosje do të zgjerohet duke përfshirë juridiksione dhe procedura të tjera të lidhura me projektet e Kolegjit të Evropës në vende ku ai është shtrirë së fundmi.
(Burimet: Euronews, Euractiv, De Standaard, Le Soir, L’Echo)






