Si mund te delegohet dicka që s’e bën dot vetë?
Në Fletoren Zyrtare 242, të 24 dhjetorit 2025, është publikuar Urdhri me numër 726. Urdhri mban firmën e Ministrit të Drejtësisë, për delegim kompetencash mbi dokumentacionin e klasifikuar.
Me këtë urdhër, ministri ia kalon zëvendësministrit të tij kompetencën për nënshkrimin dhe trajtimin e dokumenteve të klasifikuara, deri në përmbushjen e detyrimeve ligjore që lidhen me njohjen e informacionit të klasifikuar.
Gjithçka duket formale. Por pikërisht këtu nis pyetja e parë, e thjeshtë aq sa nuk kërkon as jurist, as ekspert sigurie: Si delegohet një kompetencë që nuk ushtrohet dot vetë?
Ligji “Për informacionin e klasifikuar” është i qartë. Informacioni i klasifikuar mund të njihet, administrohet dhe firmoset vetëm nga persona të pajisur me Certifikatë Sigurie të Personelit (CSP).
Pa certifikatë, nuk ka njohje. Pa njohje, nuk ka firmë. Pa firmë, logjikisht, nuk ka as delegim.
Pra, urdhri i botuar nënkupton një fakt të heshtur. Ministri i Drejtësisë nuk e ka certifikatën e sigurisë, ose të paktën nuk e ka aktive.
Dhe këtu nuk flasim për një detaj teknik, por për një paradoks institucional, ku titullari i institucionit që garanton ligjin, nuk plotëson vetë kushtin bazë për të ushtruar një nga kompetencat më të ndjeshme të tij.
Si do mbrohej shtetari i zënë ngushtë nga kjo situatë absurde në Ministrinë e Drejtësisë?
Në teori, ligji e lejon që një vartës me CSP të njihet me informacionin e klasifikuar edhe nëse shefi nuk e ka atë. Kjo është e vërtetë. Por kjo nuk quhet delegim kompetence. Quhet zëvendësim funksional për shkak të pamundësisë së titullarit.
Delegimi bëhet kur ti ke diçka dhe ia kalon tjetrit. Jo kur nuk e ke dhe kërkon dikë që ta bëjë në vendin tënd.
Atëherë lind pyetja e dytë, me e thjeshtë se e para: Pse Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë nuk ka Certifikatë Sigurie?
Ka vetëm dy mundësi: – ose nuk e ka pasur kurrë, gjë që është e pazakontë për një funksionar të këtij niveli, aq më tepër kur ka qenë më parë zëvendësministër i Brendshëm;– ose certifikata CSP nuk është rinovuar, është pezulluar, apo është ende në verifikim. Ligji e lejon që këto arsye të mos bëhen publike.
Por kjo nuk e bën situatën më pak të çuditshme. Përkundrazi e ndërlikon më shumë, sepse rezultati praktik është ky: ministri nuk firmos dokumente të klasifikuara, por firmos urdhra që autorizojnë të tjerët t’i firmosin.
A është kjo një zgjidhje ligjore? Ndoshta.
Po, a është një situatë normale institucionale? Vështirë të quhet e tillë.
Dhe këtu qëndron edhe thelbi i problemit. Në një shtet normal, informacioni i klasifikuar është zona më e mbyllur dhe më e kontrolluar e administratës.
Në Shqipëri, rezulton të jetë një zonë ku delegohen edhe pamundësitë.







