Astronauti veteran i NASA-s, Mike Fincke, ka konfirmuar se ai ishte anëtari i ekuipazhit që përjetoi një “ngjarje mjekësore” gjatë misionit në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS), e cila detyroi agjencinë hapësinore të ndërpriste para kohe misionin dhe të rikthente ekuipazhin në Tokë.
Fincke, së bashku me astronauten e NASA-s Zena Cardman, Kimiya Yui të Agjencisë Japoneze të Eksplorimit Hapësinor dhe kozmonautin Oleg Platonov të Roscosmos, u kthyen në mesin e janarit, duke lënë në ISS një ekuipazh të reduktuar prej vetëm tre astronautësh. Largimi i tyre shënoi herën e parë në histori që NASA ndërpret një mision me personel në ISS për arsye shëndetësore.
Në kohën e ngjarjes, NASA nuk bëri publik as emrin e astronautit të prekur dhe as natyrën e problemit mjekësor, duke respektuar protokollet e privatësisë. Tashmë, Fincke ka dalë vetë me një deklaratë, por pa dhënë detaje mbi gjendjen e tij.
“Pata një ngjarje mjekësore që kërkoi vëmendje të menjëhershme nga shokët e mi të ekuipazhit të jashtëzakonshëm”, tha ai. “Falë reagimit të tyre të shpejtë dhe udhëzimit të kirurgëve tanë të fluturimit të NASA-s, gjendja ime u stabilizua shpejt.”
Sipas tij, vendimi për t’u kthyer në Tokë u mor për të përfituar nga “imazheria e përparuar mjekësore” që nuk është e disponueshme në stacionin hapësinor. Edhe pse ISS është i pajisur me pajisje mjekësore, ai nuk ofron të gjitha mjetet e një reparti urgjence në Tokë.
Ende nuk është e qartë nëse ngjarja përbënte një rrezik serioz për jetën, apo si u menaxhua konkretisht situata në orbitë. NASA ka një politikë të kahershme për të mos bërë publike të dhënat personale mjekësore të astronautëve, ndërsa informacioni mbi efektet e fluturimeve hapësinore zakonisht publikohet vetëm në kuadër të studimeve shkencore.
Pas kthimit, Fincke dhe ekuipazhi i tij, i njohur si Ekuipazhi-11, u shfaqën në një konferencë për shtyp në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston, ku theksuan se nuk e konsideronin rikthimin si një emergjencë dramatike, por si një procedurë të menaxhuar me profesionalizëm.

“Si i trajtuam të gjitha, nga operacionet minimale deri te ky operacion i paparashikuar, është një ogur i mirë për eksplorimin e ardhshëm”, u shpreh Fincke në atë kohë.
Incidenti shkaktoi një seri vendimesh të shpejta: NASA anuloi një shëtitje të planifikuar në hapësirë, organizoi kthimin e menjëhershëm të ekuipazhit dhe përshpejtoi nisjen e misionit pasues. Më 14 shkurt, Ekuipazhi-12 me katër astronautë të tjerë mbërriti në ISS, duke e rikthyer numrin e personelit në shtatë – kapaciteti që NASA synon për të mbajtur ritmin e eksperimenteve shkencore dhe detyrave operative.
Fincke tha se aktualisht ndodhet në procesin standard të rikuperimit pas fluturimit në Qendrën Johnson dhe se po shërohet mirë. “Fluturimi në hapësirë është një privilegj i jashtëzakonshëm dhe ndonjëherë na kujton se sa njerëzorë jemi”, deklaroi ai, duke falënderuar publikun për mbështetjen.
Ngjarja vjen në një moment kur NASA po përgatitet për misionet e programit Artemis, që synojnë rikthimin e njerëzve në Hënë dhe dërgimin e tyre në hapësirën e thellë për herë të parë pas më shumë se pesë dekadash.
(Burimi: BBC)





