Australia ka shkruar një faqe të re historike këtë të shtunë, pasi kryeministri Anthony Albanese u martua me partneren e tij Jodie Haydon në një ceremoni të fshehtë dhe intime në rezidencën zyrtare të kryeministrit, The Lodge, në Canberra. Në 124 vite histori të qeverisë federale të vendit, askush më parë nuk ishte martuar ndërsa mbante detyrën e kryeministrit.
Ceremonia civile u zhvillua përpara rreth 60 të ftuarve, mes tyre anëtarë të kabinetit dhe familjarë të afërt. Lajmi u bë publik vetëm pasi çifti kishte thënë betimet e tyre dhe ishte shpërndarë menjëherë nga mediat vendase e ato ndërkombëtare. “Jemi të lumtur dhe të nderuar të ndajmë dashurinë dhe angazhimin tonë për të kaluar jetën së bashku,” u shprehën Albanese dhe Haydon në një deklaratë të përbashkët.
Në një detaj të ëmbël dhe të veçantë, qeni i çiftit, Toto, mbajti unazat e martesës, ndërsa Ella, mbesa 5-vjeçare e nuses, ishte vajza e luleve.
Albanese, 62 vjeç, i divorcuar dhe baba i një djali të rritur, i propozoi Haydon-it, 46 vjeç, në Ditën e Shën Valentinit të vitit të kaluar, po ashtu në The Lodge. Ata kishin planifikuar fillimisht një dasmë të madhe, por ajo u shty për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të majit, mes frikës së Partisë Laburiste se një event luksoz në kohë krize ekonomike mund të dëmtonte imazhin politik. Kryeministri pati paralajmëruar se martesa do të mbahej gjatë vitit 2025, pa zbuluar një datë të saktë.
Ceremonia u mbajt vetëm dy ditë pasi parlamenti mbylli sesionin vjetor të punës. Çifti u njoh në vitin 2020 gjatë një darke biznesi në Melbourne, ku Haydon, e cila punon në sektorin financiar, ishte e ftuar.
Martesa e kryeministrit është komentuar gjerësisht si një moment i veçantë i jetës personale të një lideri politik, i cili shpesh ka rrëfyer publikisht sfidat dhe ringritjen e tij personale pas divorcit.






