Qeveria e Austrisё ka miratuar një vendim të fortë për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 14 vjeç, duke u bërë një nga vendet e para në Evropë që ndërmerr një hap të tillë në nivel kombëtar.
Vendimi u konfirmua nga zёvendёskancelari Andreas Babler, i cili theksoi se platformat sociale kanë “efekte negative tek të rinjtë” dhe se duhet të trajtohen me të njëjtën seriozitet si substancat apo përmbajtjet e tjera të kufizuara për moshat.
Ndalimi do të zbatohet në nivel kombëtar, ndërsa Austria synon të shtyjë për masa të ngjashme edhe në nivel të Bashkimit Evropian.
Paralelisht, qeveria ka miratuar edhe reforma në arsim, të cilat do të hyjnë në fuqi nga viti shkollor 2027/28. Në shkollat e mesme do të shtohet një lëndë e veçantë për edukimin mediatik, ndërsa do të zgjerohet edhe mësimi i informatikës me fokus te inteligjenca artificiale, për të ndihmuar nxënësit të kuptojnë më mirë rreziqet dhe mundësitë e botës digjitale.
Sekretari për Çështjet Digjitale, Alexander Proll, bëri të ditur se deri në fund të qershorit do të paraqitet një projektligj që përcakton mënyrat teknike të verifikimit të moshës, pa cenuar privatësinë e përdoruesve. Qeveria ka përjashtuar vendosjen e detyrueshme të emrit real, por ka premtuar kontrolle më të forta ndaj abuzimit me të dhënat dhe bashkëpunim më të ngushtë me platformat.
Vendimi austriak vjen në një moment kur gjithnjë e më shumë vende po lëvizin në të njëjtin drejtim. Australia ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç në fund të vitit 2025, ndërsa Franca planifikon kufizime për përdoruesit nën 15 vjeç duke nisur nga shtatori 2026. Masa të ngjashme janë diskutuar edhe në Spanjë dhe në disa rajone të Indisë, si dhe po shqyrtohen nga vende të tjera evropiane si Danimarka, Gjermania, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Reagimet nuk kanë munguar. Presidenti francez Emmanuel Macron e përshëndeti vendimin duke e cilësuar si pjesë të një “lëvizjeje” më të gjerë ndërkombëtare për mbrojtjen e të miturve online.
Në këtë valë ndryshimesh, a do të ndjekë edhe Shqipëria këtë trend? Deri më tani, nuk ka një iniciativë konkrete për kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët, ndërkohë që debatet për ndikimin e tyre në shëndetin mendor dhe sigurinë online të të rinjve po bëhen gjithnjë e më të forta në mbarë botën.
(Burimi: AA)






