Lidhja mes mikrobiomës së zorrëve dhe autizmit është një nga temat më të debatuara në neuroshkencë dhe psikiatri vitet e fundit. Disa studiues e konsiderojnë premtuese dhe me potencial terapeutik, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se fusha është ndërtuar mbi studime të vogla, modele të diskutueshme dhe përfundime të nxituara.
Një artikull i fundit në revistën shkencore Neuron ka sfiduar drejtpërdrejt vlefshmërinë e kërkimeve mbi boshtin zorrë-tru në autizëm, duke argumentuar se shumë prej studimeve kanë probleme konceptuale dhe metodologjike. Autorët theksojnë se të dhënat janë shpesh kontradiktore, se mbështetja në modele të minjve është e tepruar dhe se drejtimi i shkakësisë mund të jetë i përmbysur: jo mikrobet që shkaktojnë autizmin, por dieta dhe sjelljet e veçanta ushqimore të personave me autizëm që ndikojnë në mikrobiomë.
Megjithatë, shumë studiues të fushës kundërshtojnë idenë se kërkimi duhet braktisur. Ata theksojnë se shumica e punimeve nuk pretendojnë se mikrobet “shkaktojnë” autizmin si çrregullim neurozhvillimor, por se ndryshimet në mikrobiomë mund të ndikojnë në simptoma të caktuara, veçanërisht në ankth, irritim, probleme gastrointestinale dhe sjellje sociale.
Sfida e shkakësisë në boshtin zorrë-tru
Boshti zorrë-tru është një sistem komunikimi kompleks ku mikroorganizmat e zorrëve, sistemi nervor dhe sistemi imunitar ndërveprojnë vazhdimisht. Kjo krijon një rreth vicioz ose virtuoz: dieta ndikon mikrobiomën, por mikrobet mund të ndikojnë në dëshirat ushqimore dhe në humor.
Kjo e bën të vështirë përcaktimin e drejtimit të shkakësisë. Megjithatë, disa eksperimente kanë tentuar ta adresojnë këtë problem.
Një nga studimet më të cituara është ai i drejtuar nga Sarkis Mazmanian në Caltech. Studiuesit morën mostra fekale nga persona me autizëm dhe nga individë pa autizëm dhe i transplantuan në minj laboratorikë. Minjtë që morën mikrobiomёn nga persona me autizëm shfaqën më shumë sjellje të përsëritura dhe shmangie sociale, krahasuar me grupin kontroll. Edhe pse modeli i minjve nuk është identik me realitetin njerëzor, ky eksperiment konsiderohet si një nga dëshmitë më të forta për një rol të mundshëm shkakёsor të mikrobiomës në sjellje.
Studime të tjera kanë identifikuar profile të veçanta mikrobiale tek fëmijët me autizëm. Një kërkim i udhëhequr nga Kathy Kar-man Shum në Universitetin e Hong Kongut zbuloi ndryshime të dukshme në mikrobiomën orale (të gojës) te fëmijët me autizëm. Sipas studiuesve, kombinimi i disa baktereve specifike mund të parashikojë me rreth 80% saktësi nëse një fëmijë do të zhvillojë autizëm, çka mund të ketë rëndësi për identifikimin e hershëm dhe ndërhyrjen terapeutike.
Në nivelin e zorrëve, studimet kanë treguar se fëmijët me autizëm shpesh kanë nivele më të ulëta të baktereve si Prevotella, Coprococcus dhe Veillonella. Këto mikroorganizma janë të aftë të prodhojnë neurotransmetues si GABA dhe serotonin, të cilët lidhen me rregullimin e humorit dhe ankthit.
John Cryan dhe Ted Dinan nga University College Cork kanë publikuar gjerësisht mbi rolin e baktereve të caktuara në modele eksperimentale të autizmit, përfshirë bakterin Blautia stercoris, që në studime me minj ka treguar përmirësim të sjelljeve sociale dhe reduktim të ankthit.
Dieta, probiotikët dhe përmirësimi i simptomave
Fëmijët me autizëm shpesh ndjekin dieta shumë selektive, gjë që mund të ndikojë më tej në mikrobiomën e tyre. Disa studime klinike të vogla kanë sugjeruar se suplementet probiotike mund të reduktojnë shqetësimet gastrointestinale dhe të ndikojnë pozitivisht në disa tregues të sjelljes.
Një studim i udhëhequr nga Rosa Krajmalnik-Brown në Arizona State University raportoi reduktim të dukshëm të simptomave gastrointestinale dhe ulje të pikëve në shkallët e vlerësimit të autizmit pas ndërhyrjes me probiotikë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate kërkojnë konfirmim në studime më të mëdha dhe të kontrolluara.
A është lidhja e ekzagjeruar?
Kritikët argumentojnë se fusha është ende në fazë të hershme, me mostra të vogla dhe metodologji të ndryshme që e bëjnë të vështirë krahasimin e rezultateve. Modelet e minjve nuk mund të riprodhojnë plotësisht kompleksitetin e autizmit tek njerëzit. Për më tepër, mikrobioma e “shëndetshme” vetë nuk është e përcaktuar qartë, çka e bën edhe më të vështirë identifikimin e devijimeve patologjike.
Nga ana tjetër, përkrahësit e kërkimit theksojnë se edhe nëse mikrobet nuk janë shkaku i autizmit, ato mund të jenë faktorë modelues të rëndësishëm të simptomave, veçanërisht ankthit dhe problemeve të sjelljes. Në këtë kuptim, ndërhyrjet në mikrobiomë mund të jenë një shtesë e dobishme në trajtimin multidisiplinar të çrregullimit të spektrit autik.
Shkenca në këtë fushë është ende në zhvillim. Debati aktual nuk e përjashton rëndësinë e mikrobiomës, por kërkon studime më të mëdha, më të strukturuara dhe me metodologji më të fortë për të sqaruar rolin e saj real. Për momentin, lidhja mes zorrëve dhe autizmit mbetet një hipotezë serioze, por jo një përfundim i mbyllur.
(Burimi: Scott C. Anderson, Psychology Today)






