Një nga veprat më të rralla dhe më personale të Frida Kahlo-s ka thyer rekordin e ankandit për artisten meksikane, pasi u shit për 54.7 milionë dollarë në Sotheby’s në Manhattan. Autoportreti i vitit 1940, “El sueño (La cama)”, u ble vetëm pas katër minutash me oferta intensive, duke konfirmuar edhe një herë statusin e Kahlo-s si një ikonë të artit modern.
Piktura paraqet Fridën të shtrirë në një shtrat me tendë, teksa mbi të qëndron një skelet — një imazh i fuqishëm që përmbledh tematikën e saj më të thellë: kufiri i brishtë mes jetës, gjumit dhe vdekjes. Vepra u realizua në një vit të trazuar të jetës së artistes, duke i shtuar edhe më shumë peshë simbolike.
Me këtë shitje, Kahlo thyen rekordin e mëparshëm të mbajtur nga piktorja amerikane Georgia O’Keeffe, vepra e së cilës “Jimson Weed/White Flower No.1” ishte shitur për 44.4 milionë dollarë. Tregu i artit konfirmon kështu një prirje gjithnjë në rritje për vlerësimin e artisteve gra, të cilat prej dekadash janë lënë në hije.
Shitja e “El sueño” është cilësuar një moment historik për koleksionistët dhe muzeologët, por mbi të gjitha një dëshmi e ndikimit të pandalshëm të Frida Kahlo-s — një zëri që sfidoi dhimbjen, identitetin dhe kufijtë e artit.

(Burimi: ANSA)






