Ish-presidenti Bamir Topi u paraqit sot në ambientet e SPAK-ut, ku u mor në pyetje në kuadër të hetimeve qё janё rihapur për ngjarjet e 21 Janarit 2011. Pas daljes nga seanca e marrjes nё pyetje, Topi mbajti një qëndrim diskret ndaj gazetarëve, duke theksuar se procedura është pjesë e sekretit hetimor dhe se nuk mund të zbulojë detaje mbi pyetjet e adresuara.
“Kam folur pa fund për 21 Janarin në respekt të transparencës ndaj publikut”, deklaroi ai, duke nënvizuar se për aq kohë sa çështja po hetohet, “nuk mund të thuhet më shumë se kaq”. Ish-kreu i shtetit shtoi se SPAK po punon “për të dalë tek e vërteta”, por nuk dha informacion mbi temat specifike pёr tё cilat SPAK i ka kёrkuar informacion apo mbase dhe bashkёpunim.
Paraqitja e Topit në SPAK vjen në një fazë ku struktura hetimore ka zgjeruar rrethin e personave të thirrur, përfshirë ish-zyrtarë të lartë të kohës së ngjarjes. Sipas burimeve mediatike, pritet që të thirret edhe ish-Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e cila drejtonte institucionin në periudhën kur u zhvilluan hetimet e para për vrasjen e katër protestuesve.
Megjithatë, është e paqartë se çfarë pritshmërie hetimore mund të ketë sot, pas kaq vitesh, nga figura që në atë periudhë mbanin kompetencat më të larta institucionale për të vepruar në kohë reale. Nga njëra anë, dëshmitë e tyre konsiderohen ende të rëndësishme për të sqaruar proceset e atëhershme të vendimmarrjes; nga ana tjetër, fakti që ata nuk folën apo nuk ndërhynë mjaftueshëm kur ishin në detyrë ngre pyetje të natyrshme mbi kufijtë e vlerës hetimore që mund të japin sot.
Të gjitha procedurat lidhur me pyetjet, provat apo personat që do të thirren më tej mbeten pjesë e sekretit hetimor, ndërsa SPAK nuk ka dhënë ende informacion mbi ecurinë dhe afatin kohor të hetimit. Deri tani nuk ka tё dhёna tё bёra publike tё konfirmuara se çfarë provash të reja mund të kenë riçelur dosjen apo nëse hetimi synon qartësimin e zinxhirit të komandimit, vlerësimin e mostrave të atëhershme të provave, apo verifikimin e përgjegjësive institucionale.
Për momentin, çështja mbetet një prej dosjeve më delikate që drejtësia e re ka marrë përsipër, dhe ndërsa personat e thirrur po paraqiten radhazi, rezultatet konkrete të hetimit mbeten të panjohura.






