Protestat në Baks-Rrjoll të Velipojës vijojnë të tensionuara, teksa banorët kundërshtojnë me forcë projektin për ndërtimin e një resorti turistik në tokat që ata i konsiderojnë pronë të tyre. Të vendosur për të mos u tërhequr, pronarët paralajmërojnë se revolta mund të ashpërsohet nëse nuk marrin një përgjigje konkrete nga institucionet dhe nëse punimet nuk pezullohen.
Përplasjet nisën më 6 shkurt, kur banorët bllokuan punonjësit e kompanisë që të vazhdonin punimet. Situata u tensionua sërish gjatë fundjavës, kur policia shoqëroi disa protestues në komisariat. Megjithatë, sipas tyre, kjo nuk do t’i ndalë, pasi bëhet fjalë për tokat e trashëguara brez pas brezi.
Leja për ndërtimin e resortit është firmosur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, ndërsa çështja ndodhet në proces gjyqësor dhe hetimet vijojnë. Banorët kërkojnë një takim me investitorin Bashkim Ulaj, duke vendosur si kusht pezullimin e menjëhershëm të punimeve deri në arritjen e një marrëveshjeje. Mes protestuesve ka edhe qytetarë nga Kosova, të cilët thonë se kanë blerë tokë në këtë zonë rreth 25 vite më parë.
Në terren, zërat e revoltës janë bërë më të fortë. “Katër breza jemi këtu. Këtu më ka lënë gjyshi, këtu më ka lënë babai. I bëjmë thirrje shtetit të nxjerrë të vërtetën dhe të mos e lërë këtë popull në gjakderdhje. Po rrimë më shumë në polici sesa te tokat tona,” u shpreh një prej banorëve gjatë protestës, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve dhe një zgjidhje nga gjykata.
Banorët këmbëngulin se nuk do të ndalen deri në pezullimin e projektit, ndërsa paralajmërimet për përshkallëzim të protestave rrisin tensionin në zonë. Në pritje të një reagimi zyrtar, çështja e Baks-Rrjollit po kthehet në një përballje të hapur mes komunitetit lokal dhe projektit turistik, me banorët që kërkojnë mbi të gjitha njohjen e pronës dhe drejtësi.






